(Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë prezantimit të koalicionit)

GJERMANI- Angela Merkel pas 16 vitesh në detyrë do të zëvendësohet nga socialdemokrati Olaf Scholz, i cili ditën e sotme ka arritur koalicionin, duke u bërë zyrtarisht kancelari gjerman.

Pothuajse dy muaj pasi partia e tij Socialdemokrate fitoi zgjedhjet federale, Olaf Scholz, 63 vjeç bëri me dije se e ka arritur një marrëveshje me Partinë e Demokratëve të Lirë dhe Partinë e Të Gjelbërve

 “Ne duam të guxojmë të arrijmë më shumë progres. Ne do të investojmë masivisht në Gjermani për ta mbajtur të përparuar”, tha Scholz në një konferencë në Berlin.

Sipas marrëveshjes 177-faqëshe, tre partitë kanë vendosur theksin tek mbrojtja e klimës, ku synohet të hiqet dorë nga përdorimi i qymyrit deri në vitin 2030. Ata gjithashtu do të kërkojnë të përdorin 2% të territorit gjerman për energjinë e erës dhe të fokusohen gjithashtu në energjinë e bazuar në hidrogjen. Deri në vitin 2030, palët duan që 80% e energjisë elektrike të sigurohet nga energjia e rinovueshme dhe 15 milionë makina elektrike të jenë në rrugët gjermane.

Gjithashtu ka plane për legalizimin e shitjes së kanabisit në ambiente të licencuara, me kontrolle për cilësinë dhe shpërndarjen e drogës.

Aleanca që arriti koalicionin ka një shumicë në dhomën e ulët të Parlamentit dhe shpreson që qeveria do të betohet muajin e ardhshëm pasi partitë të ratifikojnë koalicionin.

Gjermania është ekonomia më e madhe e Evropës, kështu që vendimet e marra nga qeveria e re do të kenë një efekt të madh tek fqinjët e saj.

Ky koalicion do të përballet me sfida të menjëhershme pasi Gjermania po përballet me një nga valët më të mëdha të COVID-19, si dhe me një Evropë që po përballet me pasojat e Brexit dhe krizën e kufirit të BE-së me Bjellorusinë.

“Sovraniteti i Evropës është një gur themeli i politikës sonë të jashtme”, tha Scholz.

Social Demokratët fituan në zgjedhjet e 26 shtatorit, përpara aleancës kristiandemokrate të zonjës Merkel, e cila pa rezultatin e saj më të keq të zgjedhjeve ndonjëherë. Të Gjelbrit arritën rezultatin e tyre më të mirë ndonjëherë, nën kandidaten Annalena Baerbock.