Pas protestës së dhunshme të së shtunës, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se përdorimi i bombave Molotov dhe mjeteve të ndaluara piroteknike, rrezikoi jetën e punonjësve të policisë, të pjesëmarrësve në protestë, por edhe të qytetarëve të papërfshirë në të.

“Gjatë përpjekjeve për të djegur institucionet, flakët dhe goditjet rrezikuan seriozisht jetën e punonjësve të policisë së shtetit por edhe atë të pjesëmarrësve të tjerë në protestë. Me dhjetra punonjës policie përfunduan në spital për shkak të plagëve të marra. Verbëria e sulmeve nuk kurse as qytetarë të tjerë, të papërfshirë në ngjarje”, tha Ministri Lleshaj.

Ministri Lleshaj shprehu besimin se organet ligjzbatuese të vendit, do të vënë përpara përgjegjësisë organizuesit dhe drejtuesit e dhunës.

“Si ministër i brendshëm shpreh besimin e plotë se organet kompetente ligjore, do të marrin masat e duhura për të vënë para përgjegjësisë, të gjithë ata që planëzuan, organizuan apo drejtuan sulmet kundër institucioneve dhe policisë së shtetit”, tha gjithashtu në deklaratën e tij Ministri i Brendshëm.

Ministri I Brendshëm u shpreh edhe për goditjen ndaj Sekretarit Organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi, ku tha se situata mund të ishte menaxhuar më mirë nga ana e policisë.

“Sigurisht do të kishte qenë mirë që edhe ata punonjës policie që u angazhuan në ndalimin e njërit të organizatorëve të sulmeve, të kishin bërë diçka ndryshe. Mirë do të ishte që siç duruan në mënyrë stoike për orë të tëra nën zjarr, të kishin menaxhuar ndryshe, edhe pak sekonda, vetëm pak sekonda, gjatë ndalimit të personit në fjalë, ndonëse në kushtet e kundërshtimit”, shtoi Lleshaj.

Veritas.com.al/