Ka ndërruar sot jetë në moshën 84-vjeçare kërcimtari dhe mjeshtri i valles popullore shqiptare Besim Zekthi.

Lajmi i hidhur është bërë me dije nga mbesa e të ndjerit, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Zekthi,  solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesor që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.

Vallet e lartpërmendura jo vetëm lartësuan emrin e Besim Zekthit, por po ashtu lartësuanë identitetin kulturor të Shqipërisë, që ishte një xhevahir në skenat e folkut.

Në interpretimet e tij të pashoqe, si në vallen “Kreshnikët e lirisë” apo të tjera simotra, Zekthi solli karakterin e folklorit shqiptar të Veriut, Jugut dhe Shqipërisë së Mesme.

Njoftimi nga mbesa e tij, gazetarja Megi Mëhilli:

Me hidhërim të thellë më duhet t’ju njoftoj për ndarjen nga jeta të artistit Besim Zekthi, gjyshit tim.

Ai do të jetë gjithnjë në zemrën e gruas së tij që i shërbeu deri çastin e fundit, të tre vajzave të tij, nipërve e mbesave dhe stërnipit të tij që të gjithë e shikonin me dashuri e adhurim.

Fjalët janë të tepërta për një artist si Besimi, që gjithë jetën, mundin e djersën ja kushtoi këtij vendi dhe punoi që me artin e tij ta ngrinte Shqipërinë në sytë e një bote të tërë. Fatkeqësisht, edhe vitet e fundit të jetës i kaloi duke kërkuar mirënjohjen e vlerësimet që meritonte por Shqipëria e la në harresë e asnjëherë nuk ia dha.

Por shpirtin e kishte të mbushur nga njerëzit e tij të afërt dhe aty ai do të vazhdojë të jetojë, gjithmonë i dashur dhe i butë edhe pse me pamje kolosi të pamposhtur, gjyshi im, artisti i merituar dhe nderi i kombit, por mbi të gjitha krenaria jonë, Besim Zekthi. Do të na mungosh shumë, u prehsh në paqe!

Për varrimin dhe vizitat do t’ju njoftojmë!