Koment/

Ajo që është konsideruar si “besëlidhja e Presidentit me shqiptarët” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, mund të jetë pikënisja e një lëvizje të re politike nga Ilir Meta. Pak a shumë kjo tezë ka ditë që qarkullon në media. Por deri më sot, kanë munguar detajet konkrete, rreth saj.

Ditët e fundit, zërat flasin rreth avancimit të kësaj ideje, duke formësuar edhe detajet që hedhin dritë mbi atë që mund të konsiderohet si projekti i ri politik që ka ditë që po jep shenjat e shfaqjes në horizontin politik të Tiranës.

Sipas tyre, partia e re e Ilir Metës mund ta ketë emrin “Besëlidhja Demokratike Shqiptare” (BDSH). Ajo synon që të jetë në qendër të një poli të ri në skenën e madhe politike të vendit, krahas PS së Edi Ramës me aleatët e saj dhe PD të Lulzim Bashës me “Opzitën e Bashkuar”.

Kjo tregon se synimi është që “Besëlidhja Demokratike Shqiptare” e Ilir Metës të shndërrohet sa më parë në polin e tretë kryesorë politik të vendit. Kjo bën të besohet se në çadrën e saj të re, mund të jetë edhe “Lëvizja Socialiste për Integrim” e Monika Kryemadhit por edhe disa parti të tjera të vogla, të cilat thuhet se kanë rënë dakord paraprakisht rreth kësaj ideje, që pritet të kristalizohet në ditët e javët në vijim.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ka disa shenja të bëra publike të cilat përkojnë dhe bëjnë sens, e që shpjegojnë shumëçka që deri më sot duke si pa shumë kuptim. Duke nisur së pari me fjalën “Besëlidhje” të cilën Ilir Meta e ka përdorur shpesh kohët e fundit, kur ka bërë thirrje shqiptarëve që ti bashkohen atij në shesh. Nga ana tjetër vetë 2 marsi e simbolizon këtë fjalë, pasi ajo lidhet në histori me këtë ditë të vitit 1444 kur heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mblodhi udhëheqësit shqiptarë të kohës në atë që njihet në histori si “Besëlidhja e Lezhës”.

Ndryshe nga “Besëlidhja” e atëhershme, kjo e reja e Ilir Metës, është e epokës “Demokratike” dhe e gjithë “Shqiptarëve”. Kjo mund të jetë edhe një nga shpjegimet e emërtimit të partisë së re të Ilir Metës;  “Besëlidhja Demokratike Shqiptare”!

Historia e viteve të fundit ka treguar se sistemi aktual zgjedhor nuk e pengon krijimin e një poli të tretë politik përtej dy të mëdhajave; PS dhe PD. Duke qenë se e realizoi njëherë përmes LSI, me sa duket Ilir Meta do ta tentojë sërisht ta përsërisi historinë, këtë radhë përmes BDSH. Pas ikjes nga Presidenca Meta me sa duket do synojë ristartimin e energjive të vjetra dhe gjenerimin e realiteteve të reja elektorale, për rifaktorizim e tij në skenën shqiptare.

Ajo që besohet se mund tia garantojë këtë, është mosndryshimi i sistemit zgjedhor në Shqipëri, që mund të ketë qenë edhe një nga kërkesat e Metës për lidershipin e PD. Ndaj, as Basha e as Kryemadhi, kur u rikthyen në tryezën e reformës së re zgjedhore përballë PS pak javë më parë, nuk e zunë me gojë këtë temë. /Alpenews.al