Anija turistike ‘Aqua Marine’ është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm, pranë brigjeve të Karaburunit në jug të vendit. Top Channel ka siguruar fotot dhe videot e anijes në flakë, një ngjarje e rëndë nga e cila fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Ka qenë ora 4 e mëngjesit kur zjarri që dyshohet se ka ardhur nga pjesa e motorit, ka përfshirë të gjithë anijen. Ekuipazhi me 5 persona në bord ka qenë në gjumë në momentin kur janë shfaqur flakët dhe kanë arritur të shpëtojnë pa dëmtime duke u hedhur në det.

Anija turistike përshkruante linjën Vlorë-Karaburun.

Policia Kufitare ka reaguar për zjarrin që përfshiu një anije turistike në Karaburun, në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në njoftimin e Policisë thuhet se “mjeti lundrues i “Aqua Marine” duke qenë se punon me turistët nga Moli i Vlorës drejt Karaburunit, për shkak të luhatjeve të kohës, është shkëputur nga Moli i Vlorës në fundjavë dhe është ankoruar në Karaburun, me qëllim që të ishte e përgatitur për vozitjen e turistëve atje. Në orët e para të mëngjesit në  Karaburun pranë plazhit të Shën Vasilit, në këtë mjet lundrues ka rënë zjarr duke u rrezikuar jeta e disa shtetasve.”

Pas njoftimit të marrë, Policia Kufitare me mjetet e saj lundruese, nën drejtimin orientues të QNOD Durrës, shkoi në ndihmë të  personave që kërkuan ndihmë, duke bërë të mundur konstatimin e mjetit lundrues pranë gjirit të Dhimokushtës dhe shpëtimin e sigurt të personave në bordin e saj.

Në këtë mjet lundrues ndodheshin 5 persona, të cilët nuk kanë probleme dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Si pasojë e flakëve, mjeti lundrues është djegur pothuajse plotësisht.

Veritas.com.al/