Autor: Ridvan Peshkopia

Kur unë them se në Hagë sot është Kosova, këtë e them jo thjesht se sot në Hagë janë bijtë e saj më të mirë, ata që, siç do thoshte Fan Noli, “e deshtën kur s’e deshtën,” ndërgjegjja e saj, premtimi i saj. Kur unë them se sot në Hagë është Kosova, kjo do të thotë se individët që po hetohen dhe gjykohen në Gjykatën Speciale janë atje që t’i kujtojnë Kosovës (dhe Katalonjës, Sardenjës apo Transilvanisë) se krimi i vetëvendosjes së popujve është krimi më i rëndë në Europën e elitave globaliste, dhe se ai nuk falet kurrë.
Me thirrjen në Gjykatën Speciale në Hagë të disa nga udhëheqësve më të shquar të UÇK-së dhe Kosovës së paluftës, për t’u gjykuar për akuza të pabaza ngritur mbi një raport nga deputeti zviceran me emrin kuptimplotë Dick, Pont Pilatët tanë rendën të shfaqësohen dhe të deklarojnë naivisht se në Hagë nuk po shkon UÇK-ja por këta individë, ish komandantë të UÇK-së dhe politikanë për të cilët miliona njerëz kanë pothuajse 20 vjet që votojnë. Por në Hagë tani nuk janë as këta individë dhe as UÇK-ja; në Hagë është Kosova për krimin e vetëm se, në errësirën e pushtimit milosheviçian, kërkoi të vendosë vetë për fatin e vet.
Që raporti i Dikut është i mbushur me pallavra të cilat, siç thonë këtej nga Gjakova, po t’ia fusësh ujkut pas e kop, kjo zbulohet lehtësisht duke lexuar librin e mrekullueshëm Mashtrimi i Madh të Bardhyl Mahmutajt, i cili me elegancë dhe elokuencë jo vetëm shpërbën, por i shndëron në qesharake të gjitha ato çka mitoman Diku ka sajuar në netët e tij të pafundme të mbushura me uiski e kokainë. Një lexim i librit të Bardhylit është domosdoshmëri për cilindo që kërkon të thotë gjysëm fjalë për këtë çështje, por që unë e ndjej se kjo nuk është praktikuar deri tani.
Kur unë them se në Hagë sot është Kosova, këtë e them jo thjesht se sot në Hagë janë bijtë e saj më të mirë, ata që, siç do thoshte Fan Noli, “e deshtën kur s’e deshtën,” ndërgjegjja e saj, premtimi i saj. Kur unë them se sot në Hagë është Kosova, kjo do të thotë se individët që po hetohen dhe gjykohen në Gjykatën Speciale janë atje që t’i kujtojnë Kosovës (dhe Katalonjës, Sardenjës apo Transilvanisë) se krimi i vetëvendosjes së popujve është krimi më i rëndë në Europën e elitave globaliste, dhe se ai nuk falet kurrë. Njëzet vite kalvar kosovar në duart e BE-së, poshtërim i pafundëm i një populli të tërë me gjykimin dy herë të kryeministrit të vet dhe tani edhe të djemve të tjerë të mrekullueshëm të saj, ka pasur vetëm një synim: t’u japin mesazhin e qartë popujve anembanë kontinentit se Europa e kombeve ka vdekur dhe tani jemi në rendin e elitave globaliste, të cilat nuk tolerojnë vetëvendosje.
Gjykata Speciale ishte komploti i përbashkët administratës Obama-Bajden me BE-në për të mbajtur gjallë pazgjidhshmërinë e statusit përfundimtar të Kosovës si një mesazh ndaj lëvizjeve separatiste anembanë kontinentit europian se rebelimi nuk do të tolerohet dhe se jeta për shtetet e rinj që mund të krijohen do jetë e pamundur. Shijen e kësaj recete e shijuan edhe udhëheqësit e pavarësisë katalonjase, por Kosova mbetet modeli stereotipik. Kësisoj, në shpallen fajtorë apo të fajshëm në Hagë shokët dhe djemtë tanë, kjo nuk ka të bëjë aspak me ta. Kosova do vazhdojë të udhëtojë nëpër kalvarin që BE-ja i ka paracaktuar dhe se nuk ka gjë që Kosova mund të bëjë, me përjashtim të kthimit në Serbi, që do ta shpëtojë nga ky kalvar.
Por ndoshta ka edhe diçka tjetër që mund të bëjë: të shporrë jashtë saj të gjitha kalbësirat be-iste të llojit të EULEX-it apo përfaqësisë së BE-së dhe të ndërtojë marrëdhënie reciproke me vende të veçanta të BE-së, të cilave, po ashtu iu ka ardhur në majë të hundës nga kjo kalbësirë. Kosova nuk e fitoi lirinë e pavarësinë me gjak që t’ua dhurojë atë në tepsi burokratëve të Brukselit dhe gjyqtarëve anonimë të Speciales. Kosova e ka vendin në Europën e kombeve dhe jo në Europën e elitave globaliste.
Kur votuan ndryshimet kushtetuese që do lejonin krijimin e Gjykatës Speciale, ata që sot gjykohen prej saj, naivisht dhe sipas një arsyetimi alla Sali, prisnin se pafajësia e tyre do të ishte fundi i kalvarit të tyre. Nuk do të jetë sepse Europa nuk ka vetëm një mitoman, Dikun, dhe BE-ja nuk ka ndërmend të pajtohet me pavarësinë e Kosovës. Dhe ndoshta ka të drejtë: Kosova kurrë nuk i ka treguar BE-së se është me të vërtetë e pavarur. Kjo duhet bërë/Insajderi
Ridvan Peshkopia është Lektor i Metodave Kërkimore në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Kosovë. Ai ka doktoraturën në shkenca politike nga Universiteti i Kentakit në ShBA dhe ka qenë studiues post-doktoral në Universitetin Xhorxh Uashington. Fusha e tij e hulumtimit shtrihet gjerësisht në modelimet matematikore dhe statistikore të sjelljes politike.