Nga Bledi Mane-Public Enemy

1./

Sa herë ti hedh një molotov dhe flakët përpijnë lajmet e botës, mos harro se sapo e mbylle një restorant dhe le pa punë 5 shqiptarë.

Aq herë sa thyen dhe sulmon institucionet publike në Tiranë, mos harro se sapo ke falimentuar një bujtinë në Theth dhe një hotel në Dhërmi.

Sa më shumë gaz lotësjellës spërkat rrugëve të vendit, mos harro se sa shumë aeroplanë me turistë nuk u ulën në Rinas…

2./

Në fillim rënkoi mali, para kohe e shkriu prej brengës dëborën mbi supet e tij dhe uli kokën. Deti atje poshtë e pa i tromaksur malin dhe i shqetësuar egërsoi dallgët. Mali dhe deti janë larg por kur bie kambana e alarmit thërasin për ndihmë ata, mentorët e tyre, dashnorët e tyre. Mbajini mend këta emrat e mëposhtëm, u detyrohemi shumë se e dashurojnë dhe e promovojnë atdheun tonë më tepër se çdokush:

Brikena Arapaj

Nisi revolucionarizimin në industrinë turistike vendase. Ish zyrtarja e lartë para 7 vitesh, dominoi mbi patetizmin partiak që mbyste turizmin dhe hodhi themelet.

Julinda Dhame

Themelet nuk mbetën ngrehinë e palegalizuar ndaj zonjusha Dhame me ekipin e saj të Agjencisë Kombëtare të Turizmit sollën energji dhe koncepte të reja.

 Alma Çupi

Aktorja matjane që ridimensionoi gazetarinë shqiptare duke e vënë në shërbim të bukurive shqiptare dhe shqiptarëve mendjebukur, punëbukur nga Veriu në Jug.

Blerina Ago

Nuk u tremb nga konkurenca e bregdetit por ballancoi resurset e brendshme tokësore, promovoi edhe turizmin vendas, edhe fuqinë e femrës shqiptare në punët kolosale.

Ilda Kasa

Nga një zyrë modeste në prerje biletash për udhëtarë shqiptarë që aratiseshin jashtë, sot kjo vajzë ka një perandori që mirëpret rreth 90 mijë turistë të huaj në tokën tonë.

Flora Xhemani

Nuk zgjodhi të jetë botuese e lajmeve të kobshme apo të frikshme me vrasje apo korrupsion por u dha vlerë zakoneve, kulinarisë dhe bukurive të Shqipërisë me revistën e saj.

Bunk’Art

Nëse mali, bregdeti, pylli, liqeni, folklori ishin dhe janë aty, turizmi i memories dhe ai historik u ringjall jo për hakmarrje por si një goditje për të kaluarën e hidhur të kujtesës sonë kolektive. Bunk’Art sot vizitohet nga turistët vendas e të huaj më shumë se restorantet apo clubet e natës së Tiranës.

Fatjon Plaku

Nëse gjeni një mal, një luginë, një hon, një pyll pa e shkelur dhe pa e promovuar ky djalë, do gaboheni rëndë.

Arben Ahmetaj

Shëëëët, mbani qetësi dhe dëgjoni. E njihni si qejflli femrash por gaboheni. Ky gjirokastrit diti të promovojë e të menaxhojë si asnjë ministër tjetër burimet natyrore dhe njerëzore të turizmit vendas.

Erion Veliaj

Ndoshta nuk e besoni por tashmë në industrinë turistike egzistojnë dy pyetje të ndryshme: Do shkosh të vizitosh Tiranën apo Shqipërinë?

Kurrë më parë kryeqyteti ynë nuk është kaq unik sa tani.

Alket Islami

Jepini Çezarit, çfarë i takon Alketetit!

Familja Mato

Kur nuk flitej për turizëm, profesor Xhemal Mato guxoi të na hapte sytë si fillim, virtualisht nëpërmjet të vetmit ekran televiziv para viteve ’90, TVSh-së, aty ku na mbinin në sy anëtarët e byrosë politike. Tanimë kurajoja e tij u përcoll edhe te pasardhësit.

Familja Mati

Duket një koinçiendcë e bukur, pas familjes Mato, familja Mati mbetet një tjetër vatër pinjollësh që e duan dhe e promovojnë Shqipërinë. Babai gazetar, i biri eksplorues që këto dy dekadat e fundit i dhanë vlerë atdheut dhe na injektuan edhe ne vlerat dhe dashurinë për këtë qoshkë fanatstike të Ballkanit.

Auron Tare

Nëse Igli Tare tregoi se një shqiptar mund të menaxhojë një klub futbolli italian, vëllai i tij Auroni nuk përton ende të promovojë Shqipërinë jo vetëm në mediat italiane por edhe ata botërore.

Niko Peleshi

Nuk do mbahet mend as si zëvendëskryeministër i sukseshëm, as si ministër bujqësie produktiv por jepini hakun. Korça sot është qyteti më i vizituar shqiptar nga shqiptarët prej borgjezisë së saj, prej punës së Peleshit.

Altin Prenga

Nëse çdo qytet e çdo katund do kishte altinprengën e tij, Spanja, Italia dhe Greqia do kishin dërguar në Shqipëri mercenarët e organizatave të tyre ETA, Brigada Rossa dhe 17 Nëntori. Terroristët mesdhetarë do e kishin molotovuar Shqipërinë nga xhelozia e turizmit tonë…

3./

Në foton ilustruese të shkrimit, ura e famshme e Katiut përballë malit të Nemërçkës pranë ujërave termale të Bënjës në Përmet.

Image may contain: sky, outdoor, water and nature