Moderatori i emisionit Top Story Sokol Balla i cili ka të ftuar sonte ministrin e Financave Shkëlqim Cani dhe atë të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka rrëfyer në një shkrim të tij se gjatë përgatitjes për emisionin e mbrëmjes ka marrë nje e-mail nga një deputet socialist i cili i rrëfen gjëndjen e rëndë ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria. Balla shpjegon se deputeti i ka kërkuar që të ruajë anonimitetin, ndërsa i ka kërkuar gjithashtu që në emision ai të marrë në konsideratë shifrat e mëposhtme, që sipas tij, qeveria nuk do t’i pohonte kurrë.
Balla ama bën një specifikim kur thotë se “mund të pohoj ama, që ky deputet NUK është Ben Blushi!”.

Në të dhënat që deputeti anonim socialist i ka rrëfyer Sokol Ballës thuhet se: “Ekonomia shqiptare po vuan nga një rritje ekonomike anemike dhe nën potencial (2,5% ne 3 mujorin e dyte). Ndërkohë papunësia qëndron në nivele ende të larta (shifra zyrtare 17,4%).
Konsumi ka një rënie prej 3,1% vetëm në 3 mujorin e dytë, ndërsa ekportet kanë një rënie prej rreth 4% për 9 mujorin e këtij viti.
Gjithashtu edhe importet në periudhën janar-shtator kanë rënë me rreth 1,5%, ku vetëm në shtator ka një rënie prej 7%, gjë që konfirmon frenimin e kërkesës së brendshme për konsum dhe investime.
Të ardhurat buxhetore janë të paktën 55 milion euro më pak se sa plani i rishikuar në mes të vitit aktual. Paraja në qarkullim sipas BSH është tkurrur si dhe stoku i kredisë është me rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014.
Investimet publike janë me mosrealizim, ndërkohë që edhe investimet private janë stepur, fakt i konfirmuar dhe nga rënia e kërkesës për kreditim nga sektori bankar.
Lufta ndaj informalitetit ka rezultuar me një rritje shumë modeste të arkës së shtetit (vetëm me 0,5% më shumë se sa plani i muajve shtator dhe tetor bashkë) ndërkohë që shifrat tregojnë për të paktën mbi 10 mijë biznese SME dhe mijëra vende pune të mbyllura (disa statistika flasin për 73 mije).
Ndërkohë, nga 2013 deri në 2015 stoku i borxhit eshte rritur me 800 milion euro (2013 – 65,5% e GDP-se 2015 – 73,3% e GDP-se), në një kohë që kjo rritje kaq e lartë e borxhit nuk eshte reflektuar në rritjen e investimeve publike që do te kishin kthyeshmeri financiare dhe ekonomike të kënaqshme.
Emetimi i Eurobondit nuk mund të konsiderohet sukses, për shkak se tregu i brendshëm kishte kapacitete për të financuar të pakten 150 milion euro, në një kohë kur depozitat në sektorin bankar janë rreth 8 miliard euro, kërkesa e biznesit vendas për kredi nuk është e lartë dhe normat e interesit jane më të ulta se 5,75%, që ishte interesi i 450 milion eurove të Eurobondit.
Papunesia e lartë (sidomos mes të rinjve, 1 në 3 te rinj eshte i papune), pasiguria fiskale – kontraktuale dhe mungesa e parashikueshmerisë në klimën e biznesit, niveli i ulet i kreditimit për sektorin privat, kriza e Eurozonës, Grexit dhe vala e emigracionit nga Lindja e Mesme përmes rajonit për në BE, ezaurimi i burimeve te financimit nga remitancat e refugjatëve, kriza e sektorit të ndërtimit në vitet e fundit dhe shume faktorë të tjerë, e bëjnë të domosdoshme jetesimin e një modeli të ri ekonomik, të orientuar nga prodhimi vendas, eksportet dhe thithja e Investimeve të Huaja, në mënyrë që këto risqe reale të ekonomisë shqiptare të kthehen në oportunitete zhvillimi ekonomik.
Ne kontekstin e nje ekonomie tregu anemik pothuajse 25 vjecare si dhe te krizes eurozones , per problemet strukturore te modelit te vjeteruar, ekonomise shqiptare i lipsen zgjidhje përmes reformave strukturore të qëndrueshme dhe jo aksione represive – panikndjellëse, të cilat pavarësisht qëllimit të mirë per vendosjen e “ligjshmerise” dhe “formalizimin” e ekonomise mund te kthehen ne “bumerang” nese nuk mbeshteten nga nje strategji zhvillimi afatgjate, e cila inkurajon iniciativen e lirë të biznesit për të podhurar dhe punësuar më shumë, për të pasur një rritje ekonomike në potencialet e ekonomisë shqiptare (6-8% (2007-2008) apo dhe 2 shifrore brenda nje periudhe 4 vjecare deri ne 2019)”
Balla thotë se “Kjo është vetëm një pjesë e shqetësimeve, që edhe deputetë të maxhorancës, përtej axhendës “Cipras” të Blushit, tashmë kanë filluar të ndjejnë dhe shprehin, haptaz apo gjysëm haptaz. Pse? Sepse tashmë zgjedhjet nuk janë më larg”.