Endri ALLMUÇA

Opinionistët i adresohen publikut të gjerë me opinionet e tyre dhe kultivojnë ide dhe mënyra të të menduarit te njerëzit e zakonshëm. Nëse do t’i përmbaheshim definicionit, atëherë; këta individë flasin në mënyrë subjektive, të pavarur dhe mendimet e tyre mbartin kontrast të dukshëm nga ai i përgjithshmi. Ata janë njerëz të respektuar nga publiku dhe dëgjohen me kërshëri për shkak të impaktit që kanë te masa e gjerë. Zakonisht janë profesionistë të fushave të caktuara dhe madje të shquar në jetën publike të një vendi. Deri këtu s’ka asgjë për t’u sharë… Dikush si puna ime do u “hiqte kapelen” për misionin fisnik që mbart termi në vetvete. Madje do u kisha kërkuar dhe një autograf, mjafton që ta shkruanin me dorën e djathtë.

Po pse me dorën e djathtë… ?

Ata zakonisht këtë dorë e kanë të zënë duke marrë direktiva dhe kjo i imponon të bëhen mëngjarashë. Këta mëngjarashë të mendimit kritik nuk mund të jenë të pavarur. Duket se ata, tashmë, janë “kapur” nga rrjeta interesash cinike të biznesit dhe politikës. Ndërkohë që kapardisen nëpër studiot televizive, ku dikush mund edhe të përkëdhelë mustaqet si burrat e urtë të qëmotit, marrin qëndrimin e një “SMS-je” (Si Mashë Sillem). Dikush u dërgon sms në iPhone-t e tyre (të sapodalë në treg) dhe i “urdhëron” të mbajnë një qëndrim të caktuar, të kundërshtojnë dikë apo të ngrenë zërin, atëherë kur është nevoja. Padyshim që i karakterizon elokuenca në të folur, fjalor i bollshëm dhe filozofi e tepruar për të legjitimuar emrin “opinionist”. Mëngjarashët mbartin në qëndrimin e tyre të dyja skajet e sjelljes njerëzore: nga njëra anë mundohen shumë në gjetjen e termave “intelektuale” dhe nga ana tjetër nuk e kanë fare bezdi të etiketojnë njëri-tjetrin si të shitur nëse u preken interesat personale. Është për të ardhur keq kur bëmat e tyre nuk bëhen nga askush tjetër mediatike (publike), përveçse nga kolegu i karrikes ngjitur. I numërojnë shoku-shokut pa të keq se ku kanë përfituar e si, e këtë e bëjnë pa terma të përzgjedhura, shpërfytyrohen dhe u bie papritur perdja e madhështisë. Zakonisht i shohim të ndarë në dy kampe, me shpatat të kthyera nga pala tjetër, “armiq” idealesh ne dukje dhe të “preokupuar” mjaftueshëm për të ndriçuar shqiptarët. Secili kamp favorizon në qëndrime zakonisht njërin kah të politikës, me të cilën nuk i bashkon asnjë frymë idealesh. Pavarësisht pasionit që shprehin në favor të kauzës që ndan partitë, ku shumë lehtë perceptimi i publikut mund të manipulohet për paanshmërinë e opinioneve, nuk ka si të mos ndryshosh mendim kur sheh të kalojnë “gardhin” e turpit për në anën tjetër. Logjika ta imponon që kjo as nuk është e rastësishme, as se idealet ndryshuan nën ndikimin e hënës së plotë tek “njerëzit-ujqër”, por se interesat janë zhvendosur dhe flenë në “resortin” përballë. Është e vërtetë që në politikë tradhëtia nuk përfshihet në fjalorin e akuzave, por kjo nuk vlen për ata që prezumohet t’u japin mend popullit, t’u hapin sytë aty ku shteti mundohet t’i vërë në gjumë, ku interesat e tyre shkelen me të dyja këmbët dhe presin që elita e këtij vendi të reagojë për ata që s’kanë zë. Ndërsa këta burra me mustaqe, marrin lapsin dhe shkruajnë me dorën e majtë (se të djathtën e kanë të zënë) të gjithat arritjet e mëdha në këtë vend. Aq shumë shprehen në favor kinse të zhvillimit, saqë: familjet që po e vuajnë prej dekadash tashmë tranzicionin në tavolinën e tyre; të rinjtë që po plaken në kërkim të një pune; të moshuarit që rrezikojnë jetën në radhë për të marrë pensionin që nuk u mban as frymën gjallë, dyshojnë se mbase kjo është jeta, ky është zhvillimi dhe kësisoj duhet të jetë situata për ta. Shpesh thuhet se populli shqiptar është spektator, se këta të shkretë nuk dinë të protestojnë, madje janë indiferentë të vetë jetës së tyre. Kjo kurrsesi nuk është gabim. Ata vërtetë reagojnë me indiferentizëm ndaj zhvillimeve, por…, por duhet më parë të mendohet se cilët janë faktorët që e kanë sjellë në këtë moskokëçarje që ka ardh’ natyrshëm. Kurrsesi nuk do i mëshoj faktit se faji është vetëm i mëngjarashëve, por lind pyetja: Si do frymëzohen njerëzit? Si do ta kuptojnë ata që gjërat nuk shkojnë mirë, ndërkohë që luftojnë çdo ditë për të mbijetuar në “parajsën”, të cilën mëngjarashët ua servirin si realitet? Këta individë janë bërë kaq të pabesueshëm, sa sot nuk frymëzojnë më askënd. Ndjekësit veç presin kur dhe kush do bëjë dredhinë e radhës. Ndjekin me neveri se kush do ta marrë fjalën e të radhisë broçkulla qesharake për hesap të çifligut. Si në të gjitha fushat në këtë vend, tradita e mëngjarashëve po kalb filizin e mendimit të së nesërmes me historitë e tyre të suksesit. Dëmi që i shkaktohet të ardhmes, pa heronj të mendimit, tejkalon çdo problematikë aktuale. Këta zotërinj nuk e kuptojnë që edukojnë prototipe që do ta mbajnë në gjumë mendimin kritik për dekadat në vazhdim. Meqenëse dështimi ka prirje të përmirësohet, ndërsa suksesi priret drejt përkeqësimit, atëherë shpresojmë që ky i fundit mos të zgjasë shumë për mëngjarashët e penës.