“Dronët dhe satelitët do të vijnë brenda këtij viti”. Ky ishte premtimi i kryeministri Edi Rama në konferencën për “Teknologjinë dhe Inovacionin në Bujqësi dhe Blegtori”.

Një koment e pati edhe për vonesën duke thënë se procedurat kanë marrë më shumë kohë se sa e kishin parashikuar.

“Na duhet të shtyjmë më shumë tek teknologjia dhe inovacioni. Nëse mbi 15 mijë fermerë duan naftë, po sa traktorë ka ky vend se nuk del llogaria. Ka një shkallë fiktiviteti. Si do të adresohet? Do të adresohet përmes teknologjisë dhe  formalizimit me regjistrin e fermës, regjistrin digjital të fermës dhe vënien në përdorim të dronëve e satelitëve që për shkak të procedurave kanë marrë më shumë kohë sesa e kishim parashikuar, do të vijnë brenda këtij viti dhe me faturat, naftën do ta marrësh por duhet të sjellësh faturat.

Do vijë edhe raporti që ti ke marrë naftën dhe ke shitur. Për atë sasi do të vazhdosh të kompensohesh. Do të kërkojë kohën e vet. 5 mijë të tjerë janë në proces. Ne nuk kemi dashur ta bëjmë të vështirë dhe të lodhshme prandaj ne jemi duke punuar që inspektimin ky vend ta çojë në qiell. Ta bëjë me satelitë, drona dhe jo me inspektorë“, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama që nga foltorja e Kuvendit në tetor 2021 bëri publik lajmin, ku shkaktoi jo pak të qeshura në sallë, teksa pak ditë më pas ministri Niko Peleshi në datën 7 prill firmosi hapjen e tenderit, por që më pas u anulua.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se është anuluar procedura e tenderit për ngritjen e satelitëve. Kjo sepse siç mësohet, nuk ka pasur asnjë ofertë të paraqitur që përputhej me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.

Ndonëse ky projekt nuk u realizua, kreu i qeverisë theksoi se nuk do të hiqte dorë nga objektivi i tij duke premtuar se do e mbajë zotimin e dhënë, gjë që e theksoi edhe ditën e sotme. Për këtë objektiv të paarritur mendohet se është shkarkuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Adrian Kamenica, megjithatë ky është një informacion i pakonfirmuar zyrtarisht.

Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” duhet të ishin ngritur në mars dhe qershor, por kjo nuk u arrit. Satelitët dhe dronët inteligjentë do të shërbejnë për të patur kontroll të plotë mbi të gjithë territorin e vendit dhe jo për ofensiva ushtarake apo për kërkime në Mars, por do të shpërbejnë për çështje civile të vendit.