Frrok Çupi/

Ndryshe nuk mund të shpjegohet kjo që po ndodh, veçse me një infeksion të rrezikshëm e të pa njohur deri më sot. Këta po thonë se ‘nesër është dita finale!’. Domethënë nesër marrim fund, vjen kataklizmoja!

Këta po thonë se nesër, në 11 prill,  do të ndodhë një gjë aq e tmerrshme, saqë tmerri i vitit 1997 do të na duket ‘lule’. Në vitin 1997 ka ndodhur ajo që nuk ka ndodhur kurrë: Shteti u është sulur qytetarëve të vet dhe qytetarët shtetit, ku kanë ngelur të vdekur 2 a 3 mijë ( kush i numëroi?), janë plagosur 20 mijë (kush i numëroi edhe këta?), janë hapur depot e municioneve dhe njeriu ka marrë në shenjë njeriun… Tmerr. Kryetarja e njërës parti që na ka njoftuar se ‘nesër kemi ditën finale’, ka thënë se ’viti 1997 do të na duket ‘lule’.

Po. Mirë, ore, hajdeni na vrisni, të paktën na thoni ku të rreshtohemi, në cilën orë…, dhe t’i japim fund këtij makthi. Se prit sot e prit nesër që do të na bëjnë ‘gjëmën’, që nga 13 shkurti, kjo pritje po na vdes më këmbë; nuk ka torturë më të rëndë se të të nxjerrin nga qelia e të të thonë ‘e ke ditën sot’, pastaj të të fusin prapë në qeli për ditë tjetër!

Fillimisht thanë se do të rrëzojnë qeverinë dhe kryeministrin; ne nuk morëm vesh se si do ta rrëzonin, pamë disa hunj e zjarre e bomba në duar të tyre…. Menduam se atë pasdite e rrëzuan kryeministrin dhe shkuan në shtëpi. Deri tani e kanë rrëzuar kryeministrin 13 herë që nga 13 shkurti.

Ndërsa tani na kanë marrë ndër këmbë jetën tonë, paqen dhe qetësinë. Nesër na e kanë caktuar si ditë ‘finale’. Sonte në mbrëmje duhet të hamë petulla me mjaltë, kush ka qejf rakinë- të pijë e të dehet, kush ka qejf mishin- të therë viçin, se nesër  e tutje nuk do të jetë. Të paktën të ikë i kënaqur prej kësaj jete…

Këta po vijnë nesër….

More, po çfarë virusi kanë marrë në tru këta njerëz?

Bëhen disa pyetje të thjeshta: Me çfarë do të na vrasin? Armët nuk i kanë këta, i ka shteti… Po një grusht njerëz të shpartalluar në tru, na kërcënojnë shumicën absolute, madje të gjithë kombin, se do të na vrasin… Pi si ka mundësi?

Njerëz që nuk kanë bërë akoma këto pyetje të thjeshta, ndjehen të trembur e të tmerruar se nesër e kemi ‘ditën finale’. Por po të bësh pyetje të thjeshta, duhet të ulesh të flesh rehat e të mos merresh me njerëz të infektuar në tru.

… More, po këta thonë se nuk do të na lënë të votojmë… Po si mundet? More, po këta thonë se do të fitojnë, por në zgjedhje nuk do të shkojnë! O zot, çfarë goditje merr truri duke u munduar që t’i kuptojë. Por nuk kuptohen, truri këtyre u prodhon gjërat më të pakapshme në botën njerëzore. Njëri nga kryetarët e këtyre partive tha sot se ‘Kamzën dhe Mziun nuk i lëshojmë’. Po ku do t’i mbash, more njeri?! E kush po t’i merr? Në zgjedhje nuk shkon, por ‘do të mbash berret në vathë’.

Më mirë mos u mundoni t‘i dëgjoni, se këta kanë një sëmundje që nuk e njohim akoma, dhe me këtë rast do të sëmurni veten. Këta duken si ufo, nuk janë më mes nesh. Ose ne nuk flasim më të njëjtën gjuhë si këta…

Po shpëtuam nesër nga ‘dita finale’, do të përpiqemi ta kuptojmë këtë infeksion që u ka hyrë.

VERITAS.COM.AL/