Koment/

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte sot panelist në konferencën ndërkombëtare “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e integrimit euroatlantik’, të organizuar nga ‘Qendra Marshall’.

Konferenca është e nivelit të lartë dhe e organizuar nën shqetësimin e Perëndimit mbi ndërhyrjen ruse në Ballkan e Shqipëri.

Presidenti Meta kur mori fjalën bëri vërejtje se ‘ishte zgjuar në gjashtë të mëngjesit për këtë konferencë, por i erdhi radha vonë.’

Menjëherë pas kësaj, si për ta treguar veten sa me projektin e Qendrës Marshall, aq edhe jo me këtë projekt, tha:

“Unë nuk jam marshallist, por gruaja ime është marshalliste”.

Ka shumë kohë që Iliri dhe Monika nuk e përmendin lidhjen mes tyre; gjë që është kuptuar se duan ta ndajnë njëri tjetrin nga politika opozitare e LSI-së që formalisht drejtohet nga Monika, por praktikisht e drejton presidenti Ilir Meta.

Me këtë rast, presidenti Meta desh ta afronte veten me politikat perëndimore të ‘Sigurisë në Ballkan’ duke përmendur se është ‘edhe familjar’ me këtë projekt, përderisa është gruaja anëtare.

Por mesazhi më i hapur që dha Meta gjatë gjithë konferencës ishte ky: Presidenti qëndron më shumë me opozitën ( PD dhe LSI)  në këto trazira të shkaktuara nga partitë opozitare, se sa jashtë saj. Në fakt gjatë gjithë konferencës, me shenja të theksuara nervozizmi, Meta mbajti anën e opozitës, edhe pse është e përfolur si një faktor që po krijon situata në favor të ndërhyrjes ruse në vendin tonë.

Veritas.com.al/