Koment/ Pas ditës së sotme, me çfarë pamë e dëgjuam nga Presidenti Ilir Meta, Parlamenti duhet të marrë masa urgjente sipas neneve të Kushtetutës kur ‘presidenti nuk është mirë’… Doli sot në një konferencë për mediat dhe na frikësoi: presidenti nuk është mirë! Ky është alarm për të gjithë. Megjithëse në një moment, përmes hallakatjeve, u bë i sinqertë dhe tha ‘Jam gati të bëj testin mendor’. Na gjeti e zeza, presidenti i republikës ka rrëshqitur, nuk është mirë.

Ndërsa fliste përçart, një gazetare nisi të qeshë dhe ky iu drejtua: ‘Hë pse qesh, o kushërira ime!. Ta dini se jam mirë; jam gati të bëj testin mendor…”.

Para se gazetarët të trembeshin nga fjalosja e çakorduar e presidentit Meta, Meta tha se ‘jam unë që do të mbroj atdheun…, edhe duke u bërë si Avni Rustemi, si Mic Sokoli ose si Vojo Kushi…’. Vojo ka qenë një komunist që u hodh mbi tankun e armikut pushtues nazist; Avni Rustemi u vra pasi vrau në Paris Esat Toptanin- një politikan i lartë shqiptar që u akuzua për shitjen e interesave të vendit. Ndërsa Mic Sokoli është një hero nacionalist tropojan që u vra duke i vënë gjoksin topit të dushmanit…

Kjo që tha presidenti Meta nuk ishte vetëm një marrëzi ose një mitomani; por një moment shumë i keq i presidentit Meta, në mendjen e të cilit shkojnë e vijnë fantazma me vetëvrasje. Para pak kohësh ai tha se do të vrasë veten njësoj si Salvador Allende. Pas krizave të dëshirës për vetëvrasje, Ilir Meta iu kthye krijimit të krizave të rënda politike duke firmosur dekrete false që shkaktuan konflikte sociale dhe përçarje në mbarë vendin.

Meta, gjatë konferencës sot shpërtheu në një mllef të madh kundër Perëndimorëve dhe sidomos amerikanëve, që sipas tij qëndrojnë prapa ‘komploteve’ kundër Shqipërisë, të cilën ‘do ta mbroj unë’, tha ai. Ai sulmoi si komplotist njërin nga ambasadorët e SHBA, (që nuk i përmendi emër, por nënkuptohet Donald Lu); sulmoi edhe George Sorors duke thënë se ‘e pres në zyrë t’ia them të gjitha tëk e tëk e tëk’. Meta, duke folur me mendje krejt të prishur u mor edhe me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban duke thënë ‘ah si nuk e dëgjova kur më foli kundër Soros’, por shtoi se edhe ‘Orban është socialist’.

Nga fundi i fjalimit të gjatë e të pa sens, Ilir Meta u kthye te Mujo Ulqinaku, duke e krahasuar veten me heroin e luftës kundër pushtimit italian, 1939. Ai bëri paralele me veten duke thënë se ‘edhe ai i vetëm ishte, një fukara, por u vra për mbrojtjen nga pushtimi’. Ndërsa veten e krahasoi me Mujo Ulqinakun, Edi Ramën e konsideroi si ‘mbreti’; dhe tha se ‘Mujo i shkretë përmendet sot, nuk përmendet mbreti’.

Para se të priste pyetjet e gazetarëve, Meta tha se ‘ua kam bërë të qartë edhe zonjës Kryemadhi dhe zotit Basha dhe doktorit…’

Ajo çfarë na tha sot zoti Meta na trishtoi dhe na njoftoi se Presidenti nuk është mirë… Këta ta kemi në mendje. Parlamenti duhet të marrë vendime menjëherë sipas Kushtetut sipas neneve kur Presidenti nuk është mirë.

Veritas.com.al/