Frrok Çupi/

Nuk mund të fajësoj askënd që ka menduar se ‘kështu ndodhi… ata që u shtypën më fort, ata u çuan më këmbë!”. Kjo është pamja më e afërt; sigurisht e vërtetë.

Por Kukësin nuk e zgjodhën kuksianët për ta vënë në ‘sininë’ e Sulltanit. Kukësin e zgjodhi një dorë shumë e fshehtë, dhe po kaq e dallueshme. Tani ndodhemi para dilemës: O Kukësi merr fund, o dora që zgjodhi Kukësin ka punë me kombin shqiptar!…

Ja pse u zgjodh Kukësi për kokën në ‘sini’:

1.

Kuksianët duhet të vihen në morsë dhe të detyrohen që të lënë atdheun. Vendi ku jetojnë është një nga pjesët me pasurinë më kolosale në Ballkan; është si një “Trepçe’ e Kosovës. Rezervat minerale të hekur- nikelit (metali nga më të kushtueshmit në Bursën Botërore) janë kolosale, rreth 400 milionë tonë. Vetë Kanadaja do ta kishte zili. Rezervat energjetike të vendit dhe një pjese të Ballkanit, burojnë nga liqeni i Kukësit, ku janë përmbytur mijëra hektarë dhe banesa të këtyre njerëzve. Por këta janë njerëzit më të varfër në vend; mijëra janë burgosur vetëm pse nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike që e prodhojnë vetë. Nëse këta njerëz të varfër nuk dëbohen nga trojet e tyre, atëherë krijojnë dy probleme: I pari, si malësorë antikomunistë dhe të varfër- mbeten ‘bombë për qeverinë. I dyti, se po të qëndrojnë këta ‘pabuksa’ në trojet e tyre, atëherë do t’i mbeten nëpër këmbë mafies që po ngulet në zonë për të rrëmbyer pasuritë.

2.

Kukësi është zona patriotike e vendit; aty i ka rrënjët Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, aty u strehua populli i dëbuar i Kosovës në tragjedinë e vitit 1999… As lideri serb Vuçiq, as lideri shqiptar Rama, nuk e shikojnë me sy të mirë bujarinë e Kuksianëve që strehuan 500 mijë kosovarë të larguar nga lufta. Po të mos hapte kufijtë Kukësi në mars- prill 1999, atëherë do të krijohej zona ‘tampon’ në Prizren; ose Millosheviç do t’i shuante të gjithë; ose Amerika do të detyrohej të hiqte dorë nga ideja për Pavarësinë e Kosovës. Fajtori pse u arrit Kosova e pavarur, mbetet Kukësi. Tani ka ardhur koha për hakmarrje ndaj banorëve të tij.

3.

Bllokimi i Kukësit tani do të thotë ndarje e Shqipërisë që nga Ura e Matit e deri në Mitrovicë, duke krijuar një shtet kosovar të cunguar. Kosova bëhet e cunguar për dy arsye: E para, se nuk ka më frymëmarrje me Shqipërinë. E dyta se sipas marrëveshjes Thaçi- Rama- Vuçiq, këtu nis shkëmbimi i territoreve. Sipas projektit, në llogari të Serbisë kalon Veriu i Mitrovicës dhe Presheva… Justifikimi kryhet përsëri duke përdorur Kukësin. Para çdo tribune, Thaçi dhe Rama do t’i shpjegojnë Kosovës: “Ju hoqëm Preshevë dhe Mitrovicë, por iu dhamë Kukës, Tropojë e Has…”. Në projektin për bllokimin e lëvizjes Kosovë- Tiranë- Durrës dhe Kukës- Durrës- Tiranë, është jo thjesht taksa (që nuk mund të paguhet), por shkëmbimi i territoreve.

4.

Bllokimi i Kukësit po kryhet për llogari të disa faktorëve ndërkombëtar dhe me qëllim që të spostohet Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kukësi i tjetërsuar i jep shans të ri autokratit turk Erdogan që  të thellojë influencat në rajon. Sipas tij, Kosova ndodhet në kthetrat ‘Erdogan’. Duke shtuar edhe Kukës, Tropojë e Has, zgjerohet territori i influencës. Aq më tepër që Turqia gjen një dalje më afër Adriatikut. Por vihet në eficiencë edhe investimi i mëparshëm i ‘Sulltanatit’- aeroporti i Kukësit. Këtu, në një rast ekstrem, avionët turq mund të kërcënojnë këdo në rajon,ose edhe Europë.

Shtetet e Bashkuara nën presidentin Trump- sipas projektit- spostohen nga rajoni . Janë dy mënyra për të spostuar: Njëra: duke rritur influencën Turke, e, pas saj- Ruse. Tjetra: duke zvogëluar territorin e kontrolluar nga qeveria sorrosiane e Tiranës, bëhet më i lehtë manipulimi i zgjedhjeve dhe qëndrimi në pushtet për një periudhë shumë të gjatë…

Kukësi është zgjedhur, nuk është ndodhur papritur në syrin e ciklonit.

VERITAS.COM.AL/