Koment/

Entuziazmi i dy forcave më të mëdha politike në vend se me marrëveshjen e së martës arritën atë çfarë kishin kërkuar, duket si ogur i mirë se produkti i punës së përbashkët për Reformën Zgjedhore do të jetë i shpejt dhe i gjithë pranuar.

Por shumë vëzhgues dhe militantë të të gjitha palëve mendojnë se edhe në këtë rast Basha i PD i hyri nën tavolinë Edi Ramës, njësoj si në marrëveshjen e vitit 2017.

Madje ka edhe  nga ata që mendojnë se Basha e shiti opozitën vetëm që ’të shpëtojë nga dënimi gjyqësor’ për bashkëpunimin me mafien ruse që të lobojë në Amerikë. Zëri kryesor i kësaj ideje ka qenë zonja Jozefina Topalli, ish nënkryetare e PD dhe kryetare e Kuvendit.

Që dikush do të humbë në fund- kjo nuk mund të përjashtohet. Por sot janë të gjithë të lumtur

Si socialisti Gjiknuri, ashtu dhe demokrati Bylykbashi pranojnë rolin e rëndësishëm që kishte për të arritur tek tryeza e një dite më parë faktori ndërkombëtar. Por të dy nënvizojnë vullnetin e mirë që ekzistonte në të dy kampet për të bërë së bashku Reformën Zgjedhore.

Gjiknuri thotë se do të pranojnë çdo propozim të opozitës, nëse do të ketë miratimin e ODIHR-it, pa vendosur kushte për asnjë çështje që ka të bëjë me administrimin zgjedhor. Bylykbashi nga ana tjetër rendit çështjet prioritare që do t’i jepnin garanci opozitës për barazi në garën elektorale.

Demokratët e shohin Reformën Zgjedhore si hapin e parë për të shkuar drejt një zgjidhje politike që për ta do të vinte duke pranuar kushtin e tyre, zgjedhjet e parakohshme.

Ndërsa Gjiknuri nuk pranon të dal jashtë kostumit të bashkë drejtuesit të Komisionit Zgjedhor dhe nuk komenton asnjë çështje që shkon përtej Reformës Zgjedhore. Por përjashton çdo mundësi që të ketë një marrëveshje mes 2 forcave të mëdha për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor.

Sipas marrëveshjes, reforma do të miratohet me konsensus të palëve dhe do të votohet pa ndryshime në parlament.

Deri më sot vetëm Lulzim Basha ndjehet nën presion prej të vetëve; gjë që ndjehet në deklaratat e tij për ‘ndershmëri’.

VERITAS.COM.AL/