Është si biblike ajo që ndodhi me regjisorin e njohur: Teksa kishte në plan të kthehej për xhirimin e filmit ‘ Liqeni im’, ai ndërroi jetë. Duket se humbja ndodhi pikërisht në momentin kur iu kthye ‘liqenit, të Pogradecit e të Prespes ku kishte rrënjët e familjes dhe ku kishte dashurinë për të atin shkrimtar të shquar që jetoi në qytetin e liqenit.

Një sëmundje e rëndë i mori jetën regjisorit të mirënjohur Gjergj Xhuvani. Mësohet se Xhuvani ndërroi jetë të mërkurën në një spital në Romë.

Regjisori dhe producenti i mirënjohur ishte 56 vjeç dhe do të kujtohet si një nga artistët më të spikatur të kinematografisë dhe skenës shqiptare.

Disa nga titujt më të spikatur të filmave të tij janë “Lindje Perëndim Lindje”, “I dashur armik”, “Parullat”, “Bardhë e Zi” etj.

Gjergj Xhuvani lindi në vitin 1963 në Tiranë dhe në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve, në Tiranë, dega Artet dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990 punoi si asistent regjisor në shumë filma, ndërsa në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.

Përveçse ishte pjesë e kategorisë Director’s Fortnight me filmin “Parullat” në Festivalin e Kanës, si i pari shqiptar, Xhuvani paraqiti të njëjtin film si kandidaturë në edicionin e 74 të Academy Aëard, si filmi më i mirë në gjuhë të huaj, por nuk u pranua.

Po ashtu edhe filmi “Lindje Perëndim Lindje”, nuk mundi të kalonte listën e shkurtër të janarit për edicionin e 83 të OSCAR. Xhuvani kishte kohë që vuante një sëmundje të gjatë, por që gjithsesi nuk i është ndarë sheshxhirimit.

Këtë vit pritej të dilte edhe premiera e filmit të tij më të fundit “Liqeni im” i xhiruar kryesisht në Prespë, pasi ai i ishte rikthyer punës për filmin vitin e shkuar.

VERITAS.COM.AL/