Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dhënë një intervistën për gazetarin Roland Qafoku, në emisionin “Debati në Channel One” ku ka folur lidhur me ngjarjet e fundit.

 

Gazetari: Zoti ministër, a jeni i kënaqur me mënyrën se si policia ka menaxhuar protesta e opozitës gjatë ditëve të fundit?

Ministri: Puna e deshi ta nis detyrën me menaxhimin e protestave, duke menaxhuar një situatë të ngarkuar dhe jo fort normale politike, e karakterizuar nga protesta të shumta në nivel qendror dhe në nivel lokal.

Është jo tipike që një ministër i Brendshëm të harxhojë kohën më të madhe të punës duke u marrë me një situatë të tillë për arsye se protesta të kësaj natyre janë disi jo të zakonshme në Europën normale por të zakonshme në Shqipëri. Strukturat e policisë e kanë menaxhuar me profesionalizëm të lartë këtë fluks. Them të pazakonshme sepse këto janë protesta që drejtohen nga parti politike sepse protesta ka plot. Evropa është atdheu i protestave.

Por në përgjithësi protesta janë të grupimeve të pa përfaqësuara.  Protesta këtë qëllim ka. Ti japë zë, atij që nuk ka zë. Por përgjithësisht partitë politike në parlament e kanë zërin e tyre dhe zakonisht nuk dalin në protestë. Kjo është më atipike për Evropën. Ata që janë më të zëshmit, ata që janë të përfaqësuar, lënë platformën ku duhet të shprehen lënë parlamentin dhe gjejnë rrugën si mënyrë për tu shprehur.

Dhe kjo e bënë të vështirë menaxhimin. Për policinë është disi e vështirë të përballet fizikisht në rrugë me ish-ministrin e Brendshëm, ose me ministrin e ardhshëm të Brendshëm, apo me kryeministrin e ardhshëm në kushte rruge. Megjithatë policia e përballoi dhe menaxhoi shumë mirë. Vlerësimet i bëjnë qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë në mënyrë të njëzëshme e kanë mbështetur dhe përkrahur dhe përshëndetur performancën e polcisë.

Gazetari: Pyetja më e rëndësishme është se çfarë gazi u përdor në protestë sepse shumë njoftime, deklarata dhe reagime kanë qenë të tilla që policia ka përdorur lëndë helmuese luftarake jo vetëm të dëmshme por edhe vrasëse?

Ministri: E kam thënë që në ditën e parë të detyrës që nuk pranoj të bëhem kryepolici i Shqipërisë. Unë nuk kam ndër mend të merrem me çështjet e policisë në nivelin profesional. Kështu që çështjet e mjeteve dhe mënyrave të policisë janë çështje të policisë. Sigurisht që unë mund tju them vetëm kaq: Policia e shtetit ka përdorur mjetet që janë të ligjshme, proporcionale.

Policia e shtetit ka përdoru një strategji deskaluese, shumë e tërhequr, e përmbajtur. Ka përdorur atë që ne e kemi quajtur 1-1-0, pra, (1 hap më mbrapa në kohë, pra mos reago ti i pari, por lër atë që ke përballë), (1 shkallë më poshtë në nivelin e forcës, dmth nëse ai përdor 2 duar, ti përdor 1 dorë.) dhe (zero viktima nga menaxhimi i situatës). Këtë policia e shtetit e ka realizuar me sforco të madhe por me përgjegjësi dhe me profesionalizëm të lartë. Policia ka përdorur ato mjete që i ka në inventarin e saj. Për fat të mirë ai inventar ka qenë ngjatë ditëve që ka qeverisur opozita. Ata e dinë fort mirë edhe markat e gazit të përdorur dhe origjinën e blerjes.

Ky gaz është blerë në vitin 2011. Në dijeninë time janë blerë në Izrael. Unë refuzoj të futen në detaje teknike sepse kjo është punë e policisë. Këtu nuk ka vend për të thënë ka bërë mirë apo keq që i ka blerë. Këto janë standarde policore. Menaxhimi i turmave mund të bëhet me forcë fizike, por kur ke një turmë me mijëra vetë besoj se policia, me forcë fizike nuk realizohet. Në këto kushte përdoren mjete policore për shpërndarjen e turmës. Refuzoj këtë keqpërdorim lidhur me atë që e quajnë Lëndë Helmuese Luftarake prej injorancës ose prej keqdashjes.

Lëndë Hemuese Luftarake Shqipëria nuk ka.

Jo vetëm që nuk janë përdorur, por në Shqipëri nuk ka lëndë Helmuese Luftarake. Shqipëria është vendi i parë në botë që në mënyrë vullnetare ka hequr dorë nga përdorimi i Lëndëve Helmuese Luftarake dhe janë shkatërruar nga një program i gjerë të udhëhequr nga SHBA. Gazi lotsjellës nuk është lëndë luftarake. Lëndët Helmuese Luftarake kanë qëllim të vrasin. Ndërsa gazi ka qëllim të largojë turmën nga një mjedis i caktuar kur një protestë del jashtë ligjit. Në rastin tonë kemi patur ushtrim të dhunës ndaj forcave të policisë në rastin e kryeministrisë dhe më 16 shkurt. Ky gaz përdoret në çdo protestë në Evropë.

Gazetari: Po përse u përdor për herë të parë ky gaz në Shqipëri?

Ministri: Fatmirësisht ky gaz u përdor për herë të parë në Shqipëri. Sepse Shqipëria nuk ka përdorur këto mjete kur ka qenë nevoja për të shpërndarë turmat, por ka përdorur mjete të tjera.

Ka përdorur plumba. Protesta të ngjashme në të shkuarën e afërt janë menaxhuar duke përdorur plumba dhe janë mbyllur me gjak. Kemi qenë në unison, policia edhe me partnerët ndërkombëtarë që të përdoret një mjet që nuk të vret, por largon. Kjo është diferenca. Prandaj është përdorur ky mjet vetëm për të larguar nga një zonë ku nuk duhet të jenë.

Gazetari: Por, kur i bleu konkretisht qeveria e Berishës në 2011 kur në fakt nuk i ka përdorur?

Ministri: Janë blerë pas ngjarjes së 21 janarit.

Gazetari: Por në fakt nuk i përdori.

Ministri: Nuk ka patur arsye sepse nuk ka patur asnjë protestë të dhunshme që të jenë tentuar kryeministrinë apo mjedise të tjera.

Gazetari: Mua më kujtohet që u sulmua KQZ dhe disa deputetë kapërcyen mbi kokat e policëve për tu futur me dhunë në KQZ. Mbaj mend Taulant Ballën që nuk po bënte balet.

 

Ministri: Në dijeninë time protesteusit nuk përdorën lëndë djegëse e as shishe Molotov. Më 16 shkurt kemi patur përdorim të lartë të forcës.

Gazetari: Zoti minisitër, më ka bërë përshtypje për mënyrën se si policia menaxhoi në aspektin taktik protestën. A ishte elementë ushtarakë aty? A ishit njohur ju me planin operacioanl të policisë se si ajo do menaxhonte protestën?

Ministri: Ministri i Brendshëm nuk merret me planin operacioanl. Ministri i Brendshëm sigurisht që ka përgjegjësi për performancën e të tërës që policia të plotësojë misionin. Ministrin jep objektiva, por nuk futet në detaje. Unë kam dijeni për nivelin e përgatitjes së policisë për përballimin e situatave të ndryshme. Natyrisht që edhe nga situata, ministri i Brendshëm nuk mund të jetë indiferent.

Gazetari: Mua po më duket sikur po intervistoj ministrin e Brendshëm të Gjermanisë.

Ministri: Unë nuk jam indiferent. Por ju siguroj që gjithçka që është bërë është produkt i mendjes dhe i zbatimit të ligjit nga policia e shtetit. Unë kam ndjekur me konsekuencë që policia të mbetet në atë hulli që thashë më lart me parimin 1-1-0.

Gazetari: Zoti Leshaj, ju jeni ministri i 63-të në historinë e shtetit shqiptar dhe i 26-të pas rrëzimit të komunzimit. Për fatin tim si gazetar, nga Hekuran Isai e deri te ju, pothuajse i kam intervistuar të gjithë. Më rezulton se ju jeni i vetmi që bëni një deklaratë të tillë që nuk futeni në punët e policisë. Ministra të tjerë më janë shprehur deri te kush duhet të arrestohej. Por kjo mënyra juaj mos vallë krijon atë problemin alla shqiptar, ministri dakord, zbaton ligjin por duhet tëjetë më i fortë, duhet të jetë më ndërhyrës, më impenjues ndaj policisë.

Ministri: Nga shkolla ime në Gjermani kam mësuar që një drejtues i mirë është ai që përcakton vetëm qëllimet, destinacionin, por nuk përcakton itinerarin se si do shkohet, dhe  unë i rri shumë konsekuent këtij parimi.

Gazetari: Ku i ndiqni protestat?

Ministri: Në zyrë, nga ekrani. Nga ekrani juaj. Dy prej tyre në parlament

Gazetari: Si ka mundësi që te protesta të kryeministri, kordoni i policisë u ça?

Ministri: E kam dëgjuar. Madje edhe ankesë përse policia nuk goditi qytetarët që çanë kordonin. Ka qenë në një varg i vogël punonjësish të policisë të paarmatosur, me supozimin që opozita ka kontroll mbi turmën që ka sjellë. Është provuar që opozita ka kontroll mbi turmën sepse kur liderët e  saj kanë thënë që protesta mbaroi, turma është tërhequr. Edhe pse faktori ndërkombëtar bëri deklarata të forta kundër dhunës, atë ditë pati dhunë. Po hekurat, policia u dha në dorë atyre që sulmuan godinën?

Gazetari: Ka edhe një akuzë tjetër që policia ka patur persona të infiltruar në turmë.

Ministri: Fantazia mund të marrë krah në këto rast. Policia nuk provokon. Organizatorët kanë përgjegëjsi për organizimin e tubimit. Kryeministria nuk është e policisë. Është e shqiptarëve. I kam pyetur drejtuesit e policisë çfarë ndodh nëse nuk vendosim fare policë, ta lëmë si një ditë të zakonshme. Edhe kjo ka qenë një opsion.

Gazetari: Pse ka qenë një opsion që mund të lihej pa policë? Atëherë do kishim një 14 shtator të dytë, do digjej kryeministria.

Ministri: Drejtuesit e policisë më thanë është me risk të lartë. Mund të ndodhin incidente që mund të dilnin jashtë parashikimit.

Gazetari: Do të digjej, zoti ministër.

Ministri: Ne nuk mund të lejonim një Trojë në mes të Tiranës. Një Trojë që sulmohej nga kush. Është absurd që partitë kryesore të opozitës që kërkojnë të vinë në pushtet synojnë dhe sulmojnë me dhunë një institucioni kushtetues. Është absurditet.

Gazetari: Zoti ministër kështu ka ndodhur në 29 vjet.

Ministri: Nuk arrij ta kuptoj. Ai pushtet që vjen nga dhuna prodhon dhunë. Akoma jemi me mendjen e  revolucionit të Tetorit dhe komunës së Parisit..

Gazetari: Ka një akuzë që zëri në megafon që i bën thirrje turmës të largohet është juaji.

Ministri: Ou. Nuk e kam dëgjuar.

Gazetari: Zoti ministër, ka një teori që Rusia është e interesuar për pasiguri dhe mungesë stabiliteti në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri. A interferon protesta dhe situata politike në Shqipëri me interesat e Rusisë?

Ministri: Unë nuk di të ketë teori. Unë di që ka një praktikë të provuar. Rusia është e përfshirë në ngjarje destabilizuese në rajon. Kujtoj Malin e zi dhe Maqedoninë. Nuk është sekret. Kjo bën që të jemi vigjilentë dhe të jemi të interesuar nëse ka evidencë ose jo këtu te ne. Nuk besoj se është rasti të diskutojmë për çështje konkrete. Ne I shikojmë protestat si ngjarje të iniciuar dhe frymëzuar nga partitë.

Gazetari: A interferojnë protestat me përpjekjet e Rusisë për destabilizim?

Ministri: As nuk e përjashtoj e as nuk e pohoj.

Gazetari: Po kjo është shumë e rëndësishme zoti ministër. A mund të na e sqaroni?

Ministri: E thashë, nuk e përjashtoj por nuk e pohoj. Vlen të përmendet interesi i mediave ruse si risi.

Kjo nuk është risi. Edhe në rastin e çadrës media ruse raportonte.

Po por intensiteti është i shtuar.

 

Gazetari: A ka policia hetime të veçanta?

Ministri: Jo. Nuk ka. Nuk është atributi i policisë për këtë gjë.

Gazetari: Në protestën te kryeministria, kryeministri Rama nuk qëndroi në zyrë. A kishte informacione që mund të kishte dhunën ndaj tij?

Ministri: Në dijeninë time kryeministri kishte agjendë. Dhe ai nuk mund ta ndryshonte në vartësi të agjendave të tjera.

Gazetari: Por kur opozita proteston ndaj tij, kryeministri nuk mund të ikë.

Ministri: Ky është një mit absurd. Nuk mund të rri në zyrë. A thua jemi në kohën kur mesazhet e protestës mund ti dëgjosh të drejtpërdrejtë fizike. Madje mund të ndjekësh edhe nga një kontinent tjetër.

Gazetari: Zoti ministër, si do ta menaxhojë policia protestën e lajmëruar të opozitës më 16 mars? Sipas njoftimeve, pritet të jetë e madhe, madje në rrjetet sociale pritet të jetë e dhunshme.

Ministri: Shpresoj që ata që kanë bërë thirrje për protestën e radhës të përdorin arsyen. Ka ardhur koha të arsyetojnë. E vetmja gjë në këtë moment që Shqipëria pritet të hapë negociatat për anëtarësim në BE është që nuk ka nevojë për të tilla protesta të dhunshme. Refuzoj dhunën e çfarëdo lloji. Dhe partitë politike që humbjen e madhe të terrenit politik ta kompensojnë përmes dhunës, bëjnë një gabim të madh dhe një shërbim të keq vendit. Nuk mund të ketë asnjë shans që Shqipëria të destabilizohet. Ka një shkrim të bukur të Fishtës në 1913 ”Në hajat të Parizit”. Është një dialog i Skënderbeut me Shën Pjetrin. Ndërkohë afrohet djalli. Skënderbeu po interesohej se çfarë po bëhej poshtë, dmth në Shqipëri. Ishte koha e turbulencave të mëdha, lufta Ballkanike. Skënderbeu pyet djallin çfarë po bëjnë shqiptarët. Ai I thotë:  ‘Siç i do armiku. Ashtu janë’. ‘Shën Pjetri i thotë hiqu këtij Gjergj, Shqipëria do bëhet e dhe për inat të shqiptarëve’. Unë i besoj kësaj. Shqipëria e ka të ardhmen e saj perëndimore euroatlantike të garantuar edhe kur vetë shqiptarët punojnë kundër saj. Opozita t’i thërrasë arsyes dhe të heqë dorë nga dhuna. Protestat nuk bëhen me grafik. Dua të them se një pjesë  e tyre janë punonjës të bashkive që vinë me autobusë.

Gazetari: Mesatarisht ministri i Brendshëm pas viti 1990 ka qëndruar 1 vit e 1 muaj. Si e parashikoni sa do qëndroni në këtë detyrë?

Ministri: Parashikime nuk bëj. Do qëndroj deri sot. Janë njëmijë faktorë të tjerë, por kam një gjë, nuk jam i lidhur me këtë post përmes ndonjë ambicieje. Nuk kam luftuar për ta pasur këtë post. Kështu që e di të sigurtë që edhe kur ta lë nuk do të kem asnjë lloj brejtje dhe brenge. Edhe marrja e kësaj detyre ka qenë pa entuziazëm, edhe largimi do të jetë pa brejtje, kurdo që të jetë.

Gazetari: Si e parashikoni që do largoheni nga kjo zyrë?

Ministri: Ju thashë që kam ardhur pa entuziazëm dhe do largohem pa brengë, jam i sigurtë për këtë. Sigurisht që ka një trajektore. Në përgjithësi punët, në fazën e parë merren me entuziazëm. Pastaj ka një fazë të dytë që është kthjellimi. Pastaj është një fazë e tretë është turbullimi. Faza e katërt është paniku. Faza e pestë është kërkimi i fajtorit. Faza e gjashtë është ndëshkimi i të pafajshmëve e kështu me radhë. Fazën e parë e kam tejkaluar se nuk e kam pasur entuziazmin, kështu që e kam filluar disi në mënyrë jo tipike. Dhe nuk e di se në cilat faza do të shkoj, por jam te kthjellimi dhe shpresoj të mbetem këtu pa rënë në faza të tjera. Një miku im më ka thënë që është puna më e vështirë në Europë dhe sigurisht që punët e vështira nuk kryhen vetëm dhe unë kam pasur dhe shpresoj ta kem ndihmën e bashkëpunëtorëve sepse miq nuk kam në punë.

Gazetari: Pse nuk është rinovuar leja e qëndrimit të gazetares angleze Alice Taylor? Lidhet me faktin që ajo raporton për Russia Today?

Ministri: Jo nuk ka lidhje. Ne nuk na shqetësojnë ata që kanë nënshtetësi shqiptare dhe raportojnë përditë për mediat e huaja. Do të ishte naivitet nëse ne do të shqetësoheshim për këtë gjë. Ju e dini më mirë se unë që këtu ke një numër shumë të madh gazetarësh që raportojnë për media të huaja. Rasti në fjale, mesa jam informuar unë, ka të bëjë më tejkalim afatesh ligjore. Dhe nëse ju jeni në një vend të huaj, keni një leje qëndrimi dhe e shkelni lejen e qëndrimit pa aplikuar, ju dilni jashtë. Nëse ju aplikoni pasi mbaron leja, keni probleme ligjore. Aplikimi për rinovimin e një leje bëhet 60 ditë përpara mbarimit të saj. Sepse nëse në ditën e fundit, autoritetet përkatëse kanë një problem atëherë ju ndodheni në kushte të paligjshme në territorin ku je. Për rastin që flasim mesa jam informuar unë, kemi të bëjmë me një aplikim i cili ka ardhur pasi është mbaruar afati i lejes së mëparshme, në kushte ilegaliteti dhe pastaj kam përshtypjen që nuk është bërë nga personi aplikimi por është bërë nga një person tjetër dhe aplikimi bëhet personalisht.

VERITAS.COM.AL/