Kjo deklaratë e tij erdhi pasi presidenti polak, Andrzej Duda tha se skenari më i mundshëm për dy raketat që ranë në territorin polak dhe lanë të vrarë dy persona, janë lëshuar nga sistemi mbrojtës ukrainas.
Të njëjtën gjë, e pranoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një deklarate të jashtëzakonshme për shtyp, pas takimit me anëtarët e aleancës së Atlantikut të Veriut.
Megjithatë, sërish, fajtore për atë çfarë ka ndodhur është Rusia, pasi agresioni i vazhdueshëm i kësaj të fundit, ka bërë që lufta të rikthehet në kontinentin e vjetër dhe ngjarje të tilla të marrin vend, ku persona të pafajshëm kanë humbur jetën.
Cili është neni 4 i NATO-s?
Neni 4 i traktatit të NATO-s mbulon rastin kur një shtet anëtar ndihet i kërcënuar nga një vend tjetër ose një organizatë terroriste.
Më pas, 30 shtetet anëtare fillojnë konsultimet formale me kërkesë të anëtarit të kërcënuar.
Bisedimet shikojnë nëse ekziston një kërcënim dhe si t’i kundërvihen atij, me vendime të arritura unanimisht.
Megjithatë, neni 4 nuk do të thotë se do të ketë presion të drejtpërdrejtë për të vepruar.
Ky mekanizëm konsultimi është aktivizuar disa herë në historinë e NATO-s.
Për shembull, nga Turqia një vit më parë, kur ushtarët turq u vranë në një sulm nga Siria. Asokohe NATO vendosi të konsultohej, por nuk ndërmori asnjë veprim.
Si ndryshon Neni 4 i NATO-s nga Neni 5?
Pas pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit, anëtarët e NATO-s Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia nxorën nenin 4.
Së bashku me Sllovakinë, Hungarinë dhe Rumaninë, këto vende janë pjesë e “krahut lindor” të NATO-s, i cili është përforcuar me mijëra trupa nga anëtarët e NATO-s.
Neni 4 është i ndryshëm nga neni 5 i Kartës së NATO-s.
Ky i fundit parashtron ndihmën ushtarake nga e gjithë aleanca, nëse një nga shtetet anëtare sulmohet.
E vetmja herë që u përdor Neni 5 ishte në vitin 2001 pas sulmeve të Al-Qaeda’s në SHBA, të cilat vranë më shumë se 3 mijë njerëz. Kur SHBA-të më pas sulmuan Afganistanin, NATO dërgoi gjithashtu një mision.
Traktati i NATO-s vlen vetëm për shtetet anëtare.
Ndërtimi i ngjarjes
Pas raportimeve në mediat polake, erdhi deklarata e një zyrtari të lartë të inteligjencës amerikane, i cili tha se raketat ruse kaluan në Poloninë anëtare të NATO-s, duke vrarë dy persona.
Më pas u vendos mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Polonisë, e cila sapo përfundoi.
Aleatët reaguan menjëherë duke u shprehur se po kryejnë verifikime dhe se solidarizohen me Poloninë.
Raketat ruse goditën një zonë ku po thahej gruri në Przewodów, një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.
Në mesditë, Rusia goditi objektet energjetike të Ukrainës me breshërinë e saj më të madhe të raketave deri më tani.
Ajo goditi objektiva nga lindja në perëndim dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.
Moldavia fqinje u prek gjithashtu. Ajo raportoi ndërprerje masive të energjisë pasi sulmet rrëzuan një linjë kryesore të energjisë që furnizon vendin e vogël.