Sipas AFP

Donald Trump po përgatitet për një sfidë me rrezik të lartë, Samitin historik me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, me një ekip diplomatik të shpartalluar pas shkarkimit brutal të Sekretarit të shtetit Rex Tillerson dhe ndërkohë që shumë poste kyçe kanë mbetur vakant.

“Tillerson ishte pro bisedimeve me koreanoveriorët. Presidenti, duke pranuar ta bëjë këtë, është në të njëjtën linjë me atë që ka pretenduar gjithmonë ish-sekretari i tij i shtetit”, ka deklaruar ish-ambasadori Stapleton Roy të mërkurën, në një konferencë për shtyp me gazetarët në Uashington.

Donald Trump dikur e kish kundërshtuar publikisht ministrin e tij për përpjekjet që ai bënte për të negociuar me Phenianin mbi programet e tyre bërthamore dhe balistike. Madje edhe javën e kaluar, gjatë udhëtimit të tij të fundit ministror, Rex Tillerson, dha prova se mbetej partizan i një diplomacie mjaft konvencionale, ndërsa presidenti ishte akoma më i bindur të tregonte muskujt e Shteteve të Bashkuara duke kërcënuar se do “ta shkatërrojë totalisht” Korenë e Veriut. Por tani ai shprehet se do të “krijojnë kushtet për negociata të frytshme ndërmjet dy palëve shumëtë ndryshme”.

“Të gjithë ishin në dijeni të pikëpamjve të kundërta midis Trumpit dhe Tillersonit. Tillersoni nuk mund të fliste më në emër të presidentit”, deklaron Abraham Denmark, drejtor i programit të Azisë i Qendrës Wilson think tank. Pasardhësi i tij i emëruar, drejtori i CIA-s Mike Pompeo, i cili duket të jetë në të njëjtën gjatësi vale me miliarderin republikan, mund të rezultojë”një negociator më i besueshëm përballë koreanoveriorëve”, shton ai.

Por koha nuk pret.

Shtëpia e Bardhë e justifikoi vendimin e Presidentit të SHBA për të zëvendësuar kreun e diplomacisë së tij me domosdoshmërinë për ta ngritur “ekipin e tij të ri para bisedimeve me Korenë e Veriut”, kur dihet që ky samit pa precedent do të mbahet në fund të majit.

Por, emërimi i sekretarit të ri të shtetit nuk mund të konfirmohet nga Kongresi përpara muajit prill. Deri atëhere, këtë pozitë do ta mbajë përkohësisht zëvendësministri i Jashtëm John Sullivan, i cili është teknicien, jo politikan.

 “Nam” i keq.

Dhe rreth tij, radhët janë rralluar. Asistentja e Sekretarit të Shtetit për Azinë Lindore Susan Thornton ende nuk është konfirmuar nga Kongresi sepse Rex Tillersonit iu desh një kohë e gjatë për t’ia imponuar partizanëve të linjës së ashpër në Shtëpinë e Bardhë. A do të pajtohet kjo diplomate me përvojë pro negociatave me Mike Pompeon, që konsiderohet si një “skifter”?

Ndërkohë, përfaqësuesi special për politikën koreanoveriore, Jozef Yun, një nga të vetmet “kanale të komunikimit” midis Uashingtonit dhe Phenianit, sapo ka dalë në pension dhe nuk është zëvendësuar.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë as ambasador në Korenë e Jugut, aleati-kyç dhe arkitekti i kthesës diplomatike që po ndodh me Veriun. Qe përfolur gjatë si kandidat për këtë post, akademiku dhe diplomati Victor Cha, por ai është refuzuar kohët e fundit sepse ka qenë kritik ndaj linjës, që sipas tij ka mbështetës në Shtëpinë e Bardhë, të shënjestrës preventive për ta bindur Kim Jong Un që të heqë dorë nga arma atomike.

“Në Departamentin e Shtetit dhe në administratën Trump, për momentin, ekipet që kanë përvojën e nevojshme për të negociuar me Veriun janë të dobëta”, konstaton Stapleton Roy. “Në Shtetet e Bashkuara ka plot njerëz të aftë që mund të marrin pjesë në një proces negocimi, por ata nuk janë në administrate. Gjithçka varet nga mënyra se si do të ndërtohet ekipi” rreth presidentit, shton ky specialist për Azinë.

Donald Trumpi nuk duket se shqetësohet më shumë se ç’duhet për problemet e burimeve njerëzore të diplomacisë amerikane. “Ai që ka rëndësi, jam unë,” u përgjigj ai në vjeshtë në Fox News për këto shqetësime.

Stapleton Roy është i shqetësuar sepse presidenti “ka pranuar të marrë pjesë në këtë samit pa përcaktuar objektivat” dhe do të shkojë atje me “namin se është i papërgatitur mirë për çështjet që duhet të menaxhojë”. “Ai duhet absolutisht t’i tregojë botës se po përgatitet seriozisht përpara samitit”, për shembull duke përfshirë udhëheqësit demokratë si pjesë e një “përpjekjeje bipartizane”.

Veritas.com.al/