Një megaaksion i policisë së shtetit ka bërë të mundur shkatërrimin e dy grupeve të mëdha kriminale dhe arrestimin e 61 pjesëtarëve të tyre të dyshuar për krime të rënda dhe trafikim lëndësh narkotike.

Policia e Shtetit ka publikuar edhe momentin e arrestimit të trafikantëve të drogës.

Në kuadër të këtij operacioni është sekuestruar një sasi e madhe droge në Greqi e Shqipëri, mbi 1 ton lëndë narkotike Cannabis sativa; 1 kg e 23 gr heroinë e kokainë, si dhe janë arrestuar 61 persona, shqiptarë dhe të huaj.

Megaoperacioni u finalizua në bashkëpunim me autoritetet greke, pas një hetimi 10 mujor me metoda speciale, në të cilën morën pjesë edhe FNSH, policia e Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Korçës, Tiranës dhe Sarandës.

Prokuroria e Krimeve të Rënda  deklaroi se në dhjetë muajt e fundit janë identifikuar 14 raste të trafikut të drogës me Greqinë, ndërsa të implikuarit janë faktuar sipas roleve dhe funksioneve, që kryenin në grup.

Ministri Sandër Lleshaj, pas kryerjes së aksionit Lleshaj reagoi në twitter:

‘Goditja e madhe e radhës për krimin e organizuar. Shkatërrohet një tjetër merimangë kriminale falë angazhimit profesional të Policisë dhe Prokurorisë. Një betejë tjetër e fituar, por lufta vazhdon ende’.

Veritas.com.al/