Shtatorja e Nënë Terezës, me gjatësi 161 cm, është vendosur ditët e fundit në kishën e Shën Marisë në Trsat të Rijekës, në Kroaci.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. Në ceremoninë e përurimit të kësaj shtatoreje, të organizuar nën kujdesin e deputetes së Parlamentit të Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, ishin të pranishëm bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Duke e cilësuar këtë ditë shumë të veçantë, një fitore të madhe shpirtërore për gjithë kombin shqiptar, zonja Prljaskaj u shpreh se ” këtë arritje e kemi të përbashkët. Së bashku e kemi arritur dhe do të jemi gjithmonë të fortë”.

Skulptori i statujës, Gëzim Muriqi tha se “e kam realizuar këtë shtatore me shumë përkushtim. Jam shumë i lumtur, që Nënë Tereza, do të jetë për jetë në këtë vend, sepse ky vend ka pasur e do të ketë veprimtar të dëshmuar të çështjes kombëtare”.

Kisha e Shën Marisë në Trsat të Rijekës është vizituar edhe nga Nënë Tereza para disa viteve, si dhe Gjon Pali i II-të.

Organizatorët e këtij aktiviteti janë: Bashkësia e pakicës shqiptare në PBM, Ipeshkëvija e Rijekës – Kisha e shenjtë e Shën Maries në Trsat, Këshilli i pakicës shqiptare në PBM, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Rijekës, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Crickvenicës.

Veritas.com.al/