Frrok Çupi/

Nuk ka lajm nga ndokund tjetër, sado që shtrëngohen të prodhojnë disa gazetarë të mbetur redaksive ditën e Diele: Vetëm nga Uashingtoni dhe Dibra.

Por mes Uashingtonit ku ndodhet Shtëpia e Bardhë dhe Dibrës- aq sa ka përngjasime aq ka edhe ‘hendeqe’ që nuk i bashkon gjë. Dibra po lufton për të krijuar trazira, ndërsa Uashingtoni për të bërë kompromise.

Shtëpia e Bardhë po jep e merr me të gjithë faktorët për rihapjen e qeverisë që është mbyllur pjesërisht për shkak se Demokratët nuk firmosin financimin për murin kufitar në Jug të Amerikës me Meksikën. Po kështu edhe ‘Dibra’ po merr e jep, jo për ‘hapjen’, por për mbylljen e qeverisë së maxhorancës socialiste dhe marrjen e qeverisë në dorë të opozitës ( edhe kjo Socialiste).

Ky ishte përngjasimi i parë.

Përngjasimi tjetër është se si në Amerikë, edhe në “Dibër’,  po luftojnë dy heronj, një burrë e një grua. Në Shtetet e e Bashkuara janë presidenti Donald Trump, dhe kryetarja e Dhomës, Demokratja Nancy Pelosy. Sot lajmet nga Shtëpia e Bardhë thonë se zoti Trump ka ofruar një kompromis rreth DACA ( programi Obamas i emigracionit). Presidenti Trump është gati të bëjë kompromis që emigrantët të lejohen edhe tre vjetët e ardhshëm…, por me kusht që sot ‘të firmoset buxheti i plotë për ndërtimin e murit’! Edhe në Dibër po ravijëzohet një kërkesë për kompromis, veçse në gjini të kundërta: Këtu kompromisin e ofron një grua. Monika Kryemadhi, grua dibrane, i ka vënë kusht qeverisë se, nëse nuk më merrni mua në qeveri, do t’u plas bombën’. Para dy ditësh doli në ekran duke qarë për pushtetin që e shikonte dhe s’e arrinte dot. Sot ka angazhuar edhe burrin e saj- president, që të lavdërojë Dibrën, ndryshe nuk e quan më veten ‘First Lady’. Burri i saj, në një siklet të madh, doli e takoi një tiranas karikaturist, Bujar Kapexhiu dhe iu lut të bëjnë një ‘selfie’, gjasme janë në Dibër.

Përngjasimi i tretë:

Gjithë bota ka pushuar sot dhe prandaj nuk ka lajme; por ka lajme vetëm në vende me emergjenca kufijsh. Shtëpia e Bardhë nuk ka si pushon, por as ‘Dibra’. Shtetet e Bashkuara kanë çështjen e  madhe të vërshimit të krimit me anë të emigracionit ilegal, ku deri më sot rrezikohen edhe 1 milionë fëmijë. Ndërsa ‘Dibra’ ka një çështje tjetër mes Dibrës këndej kufirit dhe ‘Dibrës së Madhe’ që ishte nën Jugosllavi. Zonja Kryemadhi, dibrane, është e betuar që të ngrejë më këmbë dibranët e Dibrës së Madhe për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës në Tiranë. Vetëm po bëri këtë mund ta rrëzojë këtë qeveri; por duhet kthyer koha e banditëve që vijnë maleve. Edi Rama, kryeministër, ka bërë një gafë shumë të madhe: E ka ndërtuar rezidencën familjare në një fshat rrëzë Dajtit- nga ku mund ta pushtojnë lehtësisht dibranët e prirë nga Monika. Në të njëjtën situatë u ndodh edhe mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu, aty nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, kur po ndërtonte vilën- Pallati i Brigadave sot. Edhe ai e kishte në plan ta ndërtonte diku afër Surrelit, por i thanë se ‘ja të erdhën matjanët e të sulmuan!’. Atëherë vendosi ta ndërtojë aty ku është sot, në Sauk. Thonë se Ahmet Zogu është gjysh i Edi Ramës, në një farë mënyre; sikurse edhe Enver Hoxha gjysh i një opozitari kryesor; por Rama nuk e zgjidhi mirë kur ndërtoi në Surrel. Mund të vijnë dibranët- ky është i vetmi rrezik për qeverinë.

Përngjasimi dhe dallimi i katërt:

Kjo lidhet me çiftëzimet në skaje ekstreme. Donald Trump është çiftëzuar me Melania- një vajzë nga një qytet i vogël (thuajse fshat) në Slloveni. Dhëndëri nuk e ka vizituar kurrë fshatin slloven Novo Mesto ku lindi Melania, madje ka deklaruar se edhe Slloveninë e preku vetëm dy orë në aeroport. E kundërta ndodh me skraparlliun Ilir Meta, dhëndër në Dibër. Ai ka ngritur lart sot një shoqatë dibranësh duke i quajtur ‘hyjnorët e kombit shqiptar’. Shkeli mbi Skraparin e  tij dhe mbi Tiranën e presidencës- ndoshta me një shpresë se ‘me dibranët hyjnorë rrëzon qeverinë Rama’. Edhe Enver Hoxha ishte dhëndër Dibre, Nexhmijen e kishte mentor për burgosjet dhe për pushkatimet tragjike; por shkeli në Dibër në raste tërmetesh dhe në raste dasmash. Mëkat ta përsërisësh, por në tavolina bisedash thuhet se ‘gratë dibrane në pushtet të djegin dheun’.

Shqipëria në histori ka dy dhëndurë ‘Dibre’ që iu dorëzuan grave ditën që deshën të vendosin thundrën në pushtet.

Veritas.com.al/