Ndryshojnë sërish planet: Sunny Hill Festival do të organizohet në Kosovë.

Pak ditë më parë, për shkak të vonesave nga autoritetet në sigurimin e licencave të nevojshme për vendndodhjen, Sunny Hill Festival njoftoi se për herë të parë nuk do organizohej në Kosovë, por në Tiranë. Por siç duket problemet janë zgjidhur.

 “Sunny Hill Festival mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022. Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë. Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë, do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.” – shkruhet në një deklaratë të përbashkët të Sunny Hill Festival, Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.

Po me Sunny Hill Festival në Tiranë çfarë do të ndodhë? “Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht,” thuhet në njoftim.

Detajet për line-up (lista e artistëve që do të performojnë) e Tiranës nuk janë bërë të ditura, ndërsa për festivalin në Prishtinë, “përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror,” shkruan faqja e festivalit në Instagram.

Në korrik të vitit 2020, Dukagjin Lipa, babai i Dua Lipës dhe një nga organizatorët e festivalit, shprehu dëshirën për të organizuar Sunny Hill edhe në Shqipëri.