Frrok Çupi/

Është realisht e njëjta ditë… por edhe e njëjta mënyrë.

Kryeministri i regjimit komunist Adil Çarçani kishte nisur të quhej ‘Tao Tao’ prej kohësh, sipas një filmi të animuar për fëmijë, ku ariu panda i filmit quhej ‘Taotao’. Filmi, prodhim i vitit 1981, kishte nisur të shfaqej edhe në ekranin shqiptar aty rreth viteve ’89. Mirëpo, haptazi, kryeministrin nisën ta quajnë ‘Taotao’ vetëm  një ditë pasi rinia universitare shpërtheu në protesta kundër regjimit. Do të ketë qenë data 8 ose 9 Dhjetor 1990…

Prandaj them se u kthye në të njëjtën ditë. Më datë 8 Dhjetor, dmth., dje e premte, rinia nisi të fishkëllejë në grup kryeministrin Edi Rama, që është një pasardhës i ideologjisë së partisë së Çarçanit. Vetë Rama i sulmoi të rinjtë duke iu thënë: “O bilbila, shkoni hipni në pemë, ja ku është pylli!”…

E mahnitshme çfarë paralelesh: Pylli i ‘bilbilave’ me 8 dhjetor 2017; pylli i ariut panda ‘Taotao’ në vitin 1990!… 8 dhjetori atëherë, 8 dhjetor sot!… Të rinjtë atëherë, të rinjtë sot!…

Nervozizëm qeveritar atëherë, nervozizëm sot…

E di çfarë nervozizmi shpërtheu atëherë në kupolën komuniste!?

Erdhi një moment kulmor i dëshirës popullore për të rrëzuar diktaturën. Atë ditë shkrova një artikull në gazetën “RD”, e para gazetë kundër regjimit, dhe solla humorin me ‘Taotao’. Në fakt në të njëjtin shkrim ‘luajta’ edhe me një figurë tjetër qesharake, me ‘pulat e Haxhi Lleshit’. Sot e kësaj dite nuk ma falin fanatikët e diktaturës komuniste… Të dyja figurat, së bashku, e çmendën regjimin. Nga kupola e shtetit komunist- në redaksinë e gazetës erdhi një kërcënim në formë lutjeje: “Të paktën me shokun Adil mos u tallni!”

Është e mahnitshme se të gjitha të këqijat bien përmes humorit ose përmes disa nofkave që bëjnë për të qeshur. Këto e ngrenë temperaturën e të keqes, edhe të vetë regjimit, të qeverisë, të krimit, të të fortit…, deri në pikën e shkrirjes. Prandaj edhe bien regjimet, klikat, qeveritë…, në momentin kur iu rritet temperatura. Dje kur kryeministri Rama konstatoi temperaturë 600 gradë C në gjithë qenien, dje duhej të kishte kuptuar se qeveria i ka rënë. Të paktën të kishte parasysh atë që i ndodhi Adil Çarçanit- kryeministër i fundit i regjimit komunist.  Ai ra atë ditë që i hyri nxehtësia prej një arushi të vogël me emrin ‘Tao tao’. Edhe me ‘bilbilat’ ka një krahasim të pa kundërshtueshëm.

Ja shikojeni: Sot kryeministri Rama shkoi në Shkodër. Edhe atje ‘bilbila’. Por atje bilbilat qëndruan në një restaurant të qytetit, ndërsa në rrugë dolën protestuesit që e akuzuan Ramën si ‘qeveri e krimit’ dhe i kërkuan ‘Ik!’ nga Shkodra. Është e njëjta, po e njëjta situatë!…

… Në momentin kur Kryeministrin Çarçani e quajtën ‘Taotao’, edhe kolegët e kuptuan se ‘ra ky’, prandaj  nisën të talleshin. Tallej edhe Lenka Çuko, një idiote e lindur që e kishin bërë anëtare të Byrosë Politike. Ajo tha në mbledhjen e  Byrosë se ‘nuk ka hije të rrimë më me një kryeministër Taotao’…

E njëjta gjë ndodhi sot në Shkodër: Sapo pushuan protestat në rrugë kundër kryeministrit Rama, një nga ministrat e tij hyri në një restaurant dhe nisi të këndojë. Nisi pikërisht këngën: “Pranvera filloi me ardhë/ Dhe bilbilat tuj këndu..”. Ministri jashtëm, Ditmir Bushati këndoi këngën me të njëjtën ngarkesë përjashtuese si edhe Lenka Çuko atëherë…

Është e mahnitshme si bien regjimet dhe qeveritë në mënyrat më të lehta! Madje prej një ‘bilbili’ ose prej një ‘arushe panda’. E ka krijuar vetë natyra që njeriu të ndjehet mirë kur ka rënie qeverish, njësoj siç krijoji natyra vjeshtën me gjethet lozonjare.

Po kthimin e Tatao-s në të njëjtën ditë, ç’perëndi e solli?!

Veritas.com.al/