Frrok Çupi

I pashë sot në mëngjes.

Qindra studentë ishin mbledhur para kolonave të selisë kryesore të Universitetit të Tiranës- një ndërtesë glorifikuese e ndërtuar nga Fashizmi në shekullin 20. Qindra studentë, dje (shekulli 21), protestonin kundër qeverisë nën harqet e rëndë të selisë që herë ka qenë Kuesturë, herë Gestapo dhe herë Univeristet. Komunizmi, si një diktaturë alias naziste, e zgjodhi me qëllim Gestapon si shkollë. Kryeminsitri aktual, një trashëgimtar i afërt i diktaturës, i pastoi muret e vjetër të selisë si duke përkëdhelur gjithë vendimet e regjimeve diktatoriale të mëparshme. Pastaj vuri para harqeve glorioze dhjetra kioska ku hanë e urinojnë njerëz të ardhur ngado; këtë e bën veç me idenë për të penguar lëvizjen e njerëzve dhe për t’u thënë studentëve: “hani pak qofte se veç kaq keni në dorë”. Diktaturat e reja ushtrohen jo si atëherë, por përmes banalitetit.

I pashë dje.

Ngado ka “studentë” në protesta kundër qeverisë. Disa janë vertet studentë, disa prindër të studentëve, disa më të revoltuar se studentët, disa adhurues të mëdhenj të Studentëve të Dhjetorit- siç ka mbetur tashmë i ngurtësuar ky term që mga rrëzimi i diktaturës komuniste.

Kur i pashë sot një pjesë të studentëve që hynin këndej nga stadiumi “Qemal Stafa” për te kolegët e tyre të instaluar nën kolonat e rënda të godinës “fashiste”, mu krijuan pamje të tjera paralele. Këta mbanin në duar një pankartë ku shkruhej: “Kush s’ka, s’paguan!”. Përdorimi i apostrofit m’u duk shumë smart. Studentët kanë lënë që pankarta të lexohet edhe kështu: “Kush ka, paguan!”. Duke nënkuptuar se këtu ka një hendek të madh pasuror. Pasurinë e kanë grabitur qeveritarët dhe mafiozë të tjerë, ndërsa studentëve iu kërkohet të paguajnë…

Sidoqoftë ardhja e tyre furishëm që nga rrugicat e Qytetit Studenti, më krijonte paralele me një film të epokës së realizmit socialist. Filmi titullohej “Rrugicat që kërkonin dritë”, dhe ku të rinjtë kërkonin të drejta përballë regjimit fashist, dmth., ndërtues i selisë së Universitetit ku po protestonet sot. Ata kërkonin të drejta, këta sot kërkojnë të drejtat. Përballë të të njëjtës godinë. Ose edhe më saktë: Përballë qeverive që i peshojnë rëndë individit dhe masës, pavarësisht nga godina.

Në të katër anët ka ” studentë”. Kudo kanë plasur protestat kundër qeverisë.

Në sheshin para selisë së kryeministrisë (edhe kjo një godinë e epokës së fashizmit), protestojnë tregtarët. Në Shkodër protestojnë të mbijetuarit. (Veç sa për mbijetesë kanë mundësi sot shkodranët). Në Shkodër, sipas disa kronikave në media, veç njëri në dhjetë pronarë dyqanesh ka mundur akoma të mbajë hapur dyqanin. Njerëzit e të njëjtës rrugicë kanë nisur të kërkojnë shkaqet pse i urren qeveria. Disa iu thonë disave se “fajin e kishit ju që i vutë litarin monumentit të Stalinit”. Fajin e kërkojnë te ngjarjet e vitit 90, se tjetër faj nuk gjejnë për varfërinë dhe diskriminimin.

Edhe në Ksamil e në Himare ka nisur e njëjta ” gjyeti” faji. Pasi kryeministri tha se “fajin ua kanë ata nga Alpet” që pushtuan tokat e jugut, ka nisur gjuetia për të gjetur kush është kush, kush është nga Veriu që “nuk ka të drejtë” e kush është nga Jugu që “ka të drejtë”. Atje po bëhet nami. Të rinjtë e kanë më kollaj, sepse e kanë thyer dialektin e mund të flasin edhe si tepelenas. Por sidoqoftë, fara e konfliktit ka hyrë. Në mes të të varfërve, kur hyn edhe konflikti, ky bëhet shumë shpërthyes. Qeveria e ndërtoi qëllimisht konfliktin veri-jug, me qëllim që të mbulojë varfërinë dhe të bëjë zap njerëzit. Ose më mirë të them, që njeriu të bëjë zap njeriun dhe qeveria të duket sikur është jashtë.

Kush po bën zap?

Sot kryeministri, sapo u kthye nga Jugu ku sulmoi veriorët, erdhi në Kamzë, mes veriorëve. Me një neveri të dukshme iu zgjati, një për një, disa letra ku tha se legalizohen shtëpitë e tyre të ndërtuara para dy dekada e ca. Secilin e fyu; njërin në sedrën e burrit, tjetrin në sedrën e babait, tjetrën në sedrën e gruas. Secilin e pështyu, por duke i dhënë një “dhuratë”, letrën për djersën që ka derdhur vetë secili. “Tani shkoni votoni për Saliun!”, iu tha, si duke iu thënë se “këtu më keni, do tua nxjerr për hunde”. ” Për Saliun” nënkuptonte Sali Berishën, edhe ky një verior, por kryeministër paraardhës. Në Kamzë e ngushtoi rrethin e neverisë kundër veriorëve. Ndërsa në Jug i pështyu njerëzit e Alpeve, duke kërijuar konflikt jug-veri, në Kamzë ushtroi konfliktin veri- veri. Duke ngushtuar rrethin, kështu njeriu bëhet më shpejt zap. Madje njëri bën zap tjetrin, e të tjerët të tjerë.. Qeveria mund të bëjë humor, mund të vjedhë, mund të shesë drogë, mund të shtrëngojë rrethin.

Qeveria po përdor taktikën e Luigjit XIV që i dhejtfishoi taksat për t’i çmendur njerëzit e pasi i çmendi, taksati lëshoi te dyfishi, për t’u thënë: “E shikoni, jam i mirë!”.

 Këtu taksapaguesit po flasin me vete. Janë gati të dorëzohen të gjithë ata që kanë guxuar të kenë ndonjë biznes. Ata që nuk kanë paguar dritën elektrike (qeveria i thotë “energjinë elektrike”, sikur kushedi çfarë janë dy llampa në shtëpi) mbajnë afër një boçe me dy rroba gati për në burg. – Në burgje janë futur hallexhinjtë, ndërsa fajtorët ndodhen të lirë- tha para dy ditësh ambasadori i Britaniaë së Madhe në Tiranë.

Edhe ata që nuk janë akoma në burgje të mbyllura, ndihen në burgje të hapura.

Të burgosurit e diktaturës komuniste, edhe pse “të lirë”, janë vënë përsëri para simboleve të diktaturës. Po plasin, iu duket se prapë ka diktaturë. Këtu piramida “e Keopsit”, aty bunkeri i sapo ndërtuar, më tej tuneli i glorifikuar i diktatorit, pastaj “Shtëpia me Gjethe” ku spiunoheshin të gjithë nga të gjithë. Nga malet vjen në meida pamja e një vile ku përdhunoheshin femrat e bukura prej klasës së diktatorëve. Xhelatët e të mëdhenjve të njerëzimit shqiptar, tani dekorohen. Veç Sami Repishti, një filozof në Amerikë, shpëtoi nga duart e një xhelati, 91 të tjerë xhelati i dërgoi në ferr e tani dekorohet nga qeveria…

E pashë sot.

Njeriu nuk ka ku shkon. Njeriu është në kurth. Studentët sot panë një helikopter që iu fluturonte mbi kokë, teksa këta protestonin. Këta e ndjenë veten të rrethuar edhe nga qielli. Por të gjithë janë në grackë. Ose e thënë në të folmen e përditshme, të gjithë janë bërë zap.

Secili nga të gjithë është njësoj si secili tjetër. Askush nuk pret gjë të mirë nga qeveria. As pse është socialist apo demokrat, as pse ëzhtë nga veriu apo nga jugu, as pse është femër a mashkull…

Të gjithë janë bërë zap. Nga kush? Nga tre vetë. Në kuptim edhe të drejpërdrejtë, nga tre vetë. As gjithë anëtarët e qeverisë nuk janë kaq të lig sa këta tre a katër vetë që e kanë bërë zap një popull të tërë.

Disa herë paska ndodhur njësoj. Si atëherë kur u ndërtua Korpusi i Univeristetit (ish Gestapo), si në kohën kur Gestapos iu dha emri Univeristet, si tani kur qeveria tallet me viktimat….

Sot i pashë, në miniaturë, të gjitha.