Taulant Balla në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar tha se pjesë e diskutimit ishte edhe nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit. Ai tha se PS ka mandatuar një grup për konsultimet ku do të jetë ai dhe Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri. Konsultimet do të zhvillohen me grupet e tjera parlamentare.

“Po afron dita që në konferencën e kryetarëve të ketë një kalendar për zgjedhjen e presidentit të republikës, jo më vonë se 60 ditë nga dita e përfundimit të mandatit, pra jo më vonë se 24 maji duhet të ketë filluar procesi. Kuvendi do të marrë kohën e duhur për të zhvilluar një proces. PS ka udhëheqësinë e këtij procesi si shumicë parlamentare, dëshira është për një proces të hapur konsultimesh, natyrshëm brenda suazës së Kuvendit, dhe bashkë me mua si kryetar i grupit parlamentar do jetë edhe Spiropali dhe Gjiknuri si të mandatuar nga grupi për të konsultuar me grupet e tjera parlamentare, me deputetë me këdo që është i interesuar për të institucionalizuar një dialog  konstruktiv. Këto konsultime kanë filluar edhe brenda grupit parlamentar nga sot ku deputetëve është i kërkuar të vijnë me propozime konkrete, konfidenciale nëse duan, që të kemi një listë të atyre që mund të jenë kandidaturat e mundshëm për t’u mbështetur pastaj me firmat, për depozitimin e kandidaturave në sekretarinë e kuvendit dhe më pas kalimin në 5 raunde”, tha Balla.

Balla tha se vendi i duhet një president mbi palët, diametralisht të kundërt me Ilir Metën

“Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për një president normal, dhe natyrshëm duke qenë se nuk kemi pasur një president mbi palët por palë e palëve të opozitës. Ne na duhet që Shqipëria në vitin 2022 të zgjedhë një president në aspektin diametralisht të kundërt me atë që ka përfaqësuar Ilir Meta. Shqipëria do të ketë një president ose presidente shumë më të mirë dhe të pakrahasueshëm me Metën”, tha Balla.