Tragjedia e familjes shqiptare që u shua dy ditë më parë në Porcari të Italisë, ka tronditur thellë komunitetin lokal. Një raportim i fundit i “La Repubblica” sugjeron se 4 anëtarët e familjes Kola edhe mund të kishin shpëtuar, nëse ambulanca nuk do të ishte vonuar për shkak të një gabimi, shkruan A2 CNN.

Alarmit të parë iu përgjigj shërbimi i urgjencës rreth orës 20:00 të së mërkurës, kur 22-vjeçari Hajdar Kola telefonoi duke thënë se motra e tij 15-vjeçare, Xhesika, ishte pa ndjenja. Në shtëpi ndodheshin edhe prindërit, Arti dhe Jonida.

Gjatë telefonatës, operatorja dëgjoi se edhe dy prindërit humbën ndjenjat, ndërsa pak çaste më pas ra pa ndjenja edhe vetë Hajdari. Para se të binte, ai dha një adresë të gabuar: numrin 168 në vend të 186. Ky gabim, ndoshta për shkak të helmimit, bëri që ambulanca të humbiste kohë të çmuar duke kërkuar shtëpinë e gabuar, rreth 300 metra larg.

Vetëm rreth orës 21:45, pas ndërhyrjes së karabinierëve dhe familjarëve, u arrit të hynin në apartament. Brenda u gjetën trupat e pajetë, ndërsa edhe disa nga anëtarët e ekipit të shpëtimit u ndjenë keq për shkak të gazit.

Prokuroria ka sekuestruar banesën dhe kaldajën, e cila dyshohet se ka shkaktuar rrjedhjen fatale të gazit. Hetimet do të sqarojnë nëse bëhet fjalë për një problem instalimi apo mirëmbajtjeje.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *