Andi Bora, TCH

Këto patrulla të policisë rrugore, janë të vendosur në disa nga rrugët kryesore të vendit, ku bëjnë monitorimin e shkelësve për parandalimin e aksidenteve rrugore.

 Në vetëm 6 ditë të këtij muaji, janë arrestuar 105 shoferë, ku gjysma e tyre u vunë në pranga vetëm ditën e martë. Arrestimet janë bërë për shkak se drejtuesit e mjeteve kanë qenë ose në gjendje të dehur ose pa patentë.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë rrugore, në këto gjashtë ditë, janë vendosur edhe 11.880 gjoba, për një sërë shkeljesh, ndërsa 467 qytetarë tashmë kanë mbetur pa patentë, kryesisht për tejkalim shpejtësie.

Siç shihet ne tabelë, numri më i lartë i ndëshkimeve është për parkimet e gabuara, e cila më pas ndiqet nga shkelësit që janë burim aksidenti, për parakalime të gabuara, përdorim celulari, mosvendosje e rripit të sigurimit, dhe drejtuesit e motorrëve që nuk përdorin kaskat mbrojtëse. (Tabela).

Për parandalimin e aksidenteve në rrugë, eksperti i Sigurisë Rrugore, Artur Sulçe, thotë se puna e policisë duhet të jetë e pandërprerë, dhe jo me fushata të caktuara me masa administrative.

Për të parandaluar aksidentet duhet një punë sistematike, qoftë në edukimin e përdoruesve të rrugës, por njëkohësisht duke i update-ua të gjithë përdoruesit edhe me infrastrukturën e re, me artificat e reja rrugore që bëhen. Njëkohësisht edhe me ndryshimet e reja që mendohet të bëhen, të cilat i shërbejnë zvogëlimit të trafikut, njëkohësisht i shërbejnë edhe një lëvizjeje të sigurt dhe të qetë të gjithë përdoruesve të rrugës.

VERITAS.COM.AL/