Pas disa orë negociatash dhe pasi nuk pranoi t’i dorëzohej policisë, forcat RENEA kanë ekzekutuar 62-vjeçarin Ramiz Muçllari në Maliq.

Mbrëmjen e së premtes policia kishte shkuar në banesën e 62-vjeçarit pasi kishte marrë informacion se burri kishte plagosur me mjet prerës në këmbë bashkëshorten e tij, Pëllumbesha Muçollari 58 vjeçe dhe me mjet të fortë në kokë djalin e tij, Kamber Muçllari, 27 vjeç.

Këta të fundit janë transportuar në spital ndërsa 62-vjeçari i armatosur është mbyllur në banesë duke refuzuar të dorëzohet dhe duke qëlluar armë zjarri në drejtim të policisë.

Sipas uniformave blu mësohet se 62 vjeçari në momentin që forcat RENEA janë ngjitur në katin e dytë të banesës dhe kanë bërë thirrje që ai të dorëzohet ai sërish ka hapur zjarr duke rrezikuar seriozisht jetën e efektivëve.

Në atë moment forcat Speciale “Renea”, në zbatim të plotë të procedurave standarte janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62- vjeçari ka humbur jetën.

Ndër të tjera policia thekson faktin se 62 vjeçari Ramiz Muçollari, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe gjatë ditës së djeshme ka qenë për vizitë me familjarët në spitalin psikaitrik, por nuk është shtruar në spital, dhe në mbrëmje kur janë kthyer në banesë ka nisur konfliktin me familjarët.

Njoftim i Policisë:

Shkëmbeu zjarr me Policinë lokale dhe më pas me forcat Speciale “Renea”, por si pasojë e shkëmbimit të zjarrit 62- vjeçari humbi jetën.

Forcat Speciale “Renea”, në bashkëpunim me Policinë lokale të Komisariatit të Policisë Maliq dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korcë, prej më shumë se 8-orësh mbajtën të rrethuar në fshatin Qesarakë, Maliq, banesën e shtetasit Ramiz Muçollari, i cili mbrëmjen e djeshme plagosi me thikë bashkëshorten dhe djalin e tij.

Shtetasi Ramiz Muçollari, pas plagosjes së dyfishtë u mbyll në banesë dhe nuk i’u përgjigj thirrjes së Policisë Vendore për t’u dorëzuar, por ka qëlluar me armë zjarri (mitraloz të lehtë) në drejtim të tyre.

Ndodhur në këto kushte janë dërguar me urgjencë në vendngjarje, Forcat Speciale “Renea”, të cilat kanë marrë nën kontroll perimetrin e afërt të sigurisë, ndërsa policia lokale është pozicionuar në perimetrin e largët të sigurisë.

Përgjatë natës, Forcat Speciale “Renea”, i kanë bërë thirrje të pandërprera për t’u dorëzuar, por 62-vjeçari nuk i është bindur thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka vijuar të qëllojë me armë zjarri drejt Policisë.

Në mëngjesin e sotëm, Forcat Speciale “Renea”, kanë mundur të hyjnë deri në katin e dytë të banesës së shtetasit Ramiz Muçollari, i cili ishte ngjitur në papafingon e banesës dhe ka hapur zjarr në drejtim të Forcave Speciale “Renea”, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Forcat Speciale “Renea”, në zbatim të plotë të procedurave standarte janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62- vjeçari ka humbur jetën.

Theksojmë faktin se shtetasi Ramiz Muçollari, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe gjatë ditës së djeshme ka qenë për vizitë me familjarët në spitalin psikaitrik, por nuk është shtruar në spital, dhe në mbrëmje kur janë kthyer në banesë ka nisur konfliktin me familjarët.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon kqyrja e vendit të ngjarjes për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e policisë.