Sot shënohen 11 vite nga 21 janari ku mbetën të vrarë katër protestues të opozitës asokohe PS gjatë protestave para kryeministrisë kundër qeverisë së PD. Për Aleks Nikën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Hekuran Dedën ende nuk ka asnjë drejtësi, ndërsa familjarët presin që kjo të ndodh sa më shpejt.

Edhe në këtë përvjetor të 11-të kryeministri Edi Rama dhe familjarë të viktimave të “21 Janarit” kanë kryer homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet në nder të 4 protestuesve të cilët humbën jetën. Ky është një ritual që ndiqet çdo vit nga kreu i qeverisë i shoqëruar edhe nga familjarët e viktimave, por dhe anëtarë të kabinetit qeveritar duke vendosur lule në bulevard në vendet ku u vra secili prej 4 protestuesve, ku qëndron një pllakatë përkujtimore.

Pas homazheve të kryera, Kryeministri Rama dhe familjarët e viktimave vijuan takimin pa praninë e mediave në vilën 31 që ndodhet në zonën e ish-bllokut.