Frrok Çupi
Ka qenë një mëngjes si sot, 1991. Binte shi, por jo kaq ftohtë. Telefoni i kryeredaktorit të gazetës RD kishte dy herë që binte. Nga ana tjetër erdhi lajmi se ‘janë vrarë dy vetë në Shkodër’.
-Perjaku jam, tha tjetri.- U vranë në demonstratë!
Zëri i vibronte. Ishte një nga aktivistët më aktivë të PD në Shkodër. Nuk e di pse atë ditë tha vetëm mbiemrin.
Ç’të bëja? Zyrat e reja të PD në Rrugën e Kavajës nuk kishin ende telefon. Mbërrita. Hapa me nxitim zyrën e kryesisë.
-Më thonë se në Shkodër janë vrarë dy vetë! Dini gjë?
Azemi ishte bërë gati për t’u nisur për në Shkodër. Mbrëmë ishte kthyer në orë të vona. As të tjerët nuk treguan ndonjë alarm në fytyrat e tyre.
U ktheva në rrugën Fortuzi, ku ndodhej redaksia.
Ajo ka qenë dita kur u shfaq Partia Demokratike e Vërtetë. Atë ditë u vranë katër të rinj në Shkodër. Mes tyre më i miri i Studentëve të Dhjetorit, Arben Broci. Një student i vërtetë, edhe ky. As hamall, as rrugaç, as mbajtës thikash në xhepa, as dallavere. Mund të kishte krijuar një profil njerëzor për PD-në. U vra.
Kështu ishte ajo ditë, ditë që lindi heronj dhe anti- heronj. Dita që kënaqi të vrarët dhe vrasësit.
Arben Broci nuk ishte nga modeli i vjetër që kënaqej me zhurmat e Partisë, as me frymën revolucionare se ‘jap jetën për Partinë’. Në 2 prill e thërritën për ta vrarë. Në 1 prill kishte marrë njoftimin se PD ka fituar në Shkodër dhe i kishte dhënë të drejtën vetes ta shijonte po aq butë sa ishte. E kërkuan dhe e gjetën në kalanë e Shkodrës, ku kishte shkuar për një shëtitje a një kafe. E sollën nxitimthi dhe e vranë. Ndërsa Luljetën, të ëmën dhe familjen e tij u përpoqën ta bëjnë ‘të kënaqur’. I shkonin në shtëpi udhëheqësit, bënin poza, bënin premtime, parulla. Ajo e mpakur nga dhimbja, në një apartament të vogël në hyrje të Shkodrës.
Çudia qëndronte në faktin pse PD në Shkodër do të digjte vendin dhe të vriste njerëz kinse në demonstratë në ditën kur vetë PD fitoi mbi 70 për qind. Duhej të ishte ditë feste, jo ditë morti.
Me sa duket ishte gjenetike për PD. Këtu duhej të krijohej profili i saj i vërtetë. U vranë katër djem të rinj në demonstratën e PD. U dogj një pjesë e qytetit.
Çfarë mbeti? Sot e kësaj dite vetëm pak shkodranë kanë mbetur me mendjen e vjetër se PD ishte anti-komuniste dhe demokratike. Ata me mendje të fiksuar janë të kënaqur me veten, por edhe njerëzit me sy në ballë janë të kënaqur, nga ana tjetër.
Të pakënaqur mbetën familjarët e të vrarëve, por edhe të kënaqur mbetën. Sepse morën ndonjë post ose u lavdëruan nëpër mbledhje si ‘familje dëshmorësh’. I pakënaqur u duk se mbeti edhe Pjetër Arbnori si kryetar i PD në Shkodër, por tekefundit s’kishte arsye. E bënë ‘të madh’ në PD, edhe pse në 2 prill nuk e pyeti njeri. Pjetri ishte i butë, nuk ishte për dhunë; prandaj e shmangën pastaj.
Në Shkodër mbërriti Azem Hajdari paraditen e 2 prillit. Edhe ai ishte i kënaqur. Në qytet ishte përhapur një njoftim, ngjitur nëpër shtylla, se kur kishte qenë ushtar Azemi ishte shpallur i paaftë mendërisht për të mbajtur armë. Me këtë zjarr në Shkodër digjej çdo dëshmi.
Profesor Jup Kastrati, gjuhëtar dhe albanolog i madh i kombit, u trondit shumë, por në fund mbeti i kënaqur. Pa militantët që po i vinin zjarrin Bibliotekës së Madhe, dhe vrapoi në Polici. Dilaver Papare angazhoi forca dhe Biblioteka shpëtoi. Qazim Gjoni, gjukatës i PD e shpalli vepër kriminale aktin e shpëtimit t Bibliotekës
Ali Spahia, që mori ekskluzivitetin për trajtimin e të vrarëve, mbeti i kënaqur. Mjeku që ishte dënuar për punë të pista në komunizëm, tani po rehabilitohej. Partisë i interesonte që asnjëri nga të katër të mos mbijetonte, dhe Aliu ia doli. Më vonë mbeti i kënaqur vetë i biri që sot është deputet, pa Aliu nuk i mbijetoi provës së pas krimit të madh të Shkodrës. Bijtë e të gjithë bijtë e atyre që u vranë në PD, u tërhoqën nga Berisha si rreth i tij i ngushtë. Janë të kënaqur.
Dy gazetarë jugosllavë që ndodheshin në Shkodër deri në momentin e vrasjes, shkuan të kënaqur. Njëri prej tyre njihej si agjent i UDB, por strehohej në Gjykatë.
I vetmi që u shpall Hero, ishte Gramoz Ruçi, komunist. Ai kishte qenë ministër. E arrestuan dhe e sollën në gjyq. Hapen edhe ekranin e televizionit duke menduar se ‘do t’i hapnin gropën’ Gramoz Ruçit. Në fakt aty komunisti shkëlqeu me fakte dhe prova se 4 dëshmorët e PD ishin vrarë nga brenda vetes. Megjithëse nuk u dëshmua kurrë si ‘i kënaqur’.
Vetëm një datë në radhën e datave ka mbetur si ‘Emoji i kënaqur’ në kalendarin tonë. Është 31 marsi i vitit 1991. Zgjedhjet e para pluraliste. Zgjedhjet e fundit që u mbajtën të drejta e të ndershme. PD nuk e arriti kurrë standardin e komunizmit.
Komente