Nishani prej disa javësh ishte duke u trajtuar në Gjermani, por ai nuk arriti të rikuperohej, duke qenë se vuante edhe nga një sëmundje autoimune në mëlçi.
Me vendim të Qeverisë së Shqipërisë, flamuri do të ulet në gjysmështizë tek institucionet shtetërore dhe publike, në nder të ish-kreut të shtetit përgjatë viteve 2012-2017.
Shpenzimet e varrimit ndërkaq do të përballohen nga buxheti i veçantë i shtetit, i miratuar për Kryeministrinë për vitin 2022.
Nishani do të prehet në varrezat e Sharrës, siç është përcaktuar edhe nga familja e tij.
Gjatë 1 qershorit ndërkohë janë zhvilluar homazhe të miqve dhe familjarëve në nderim të ish-presidentit.
Gjithsesi, figurat politike nuk kanë munguar
I pranishëm ka qenë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Kreu i shtetit e cilësoi Nishanin si një nga politikanët më seriozë të këtyre dekadave.
“Ai nuk ishte vetëm një bashkëshort e prind shembullor, por pa asnjë diskutim ishte një nga politikanët e mbi të gjitha qytetarët më të përgjegjshëm e më seriozë, të këtyre dekadave”, u shpeh Meta.
Sipas tij, Nishani “shkëlqeu me korrektësinë e tij, me integritetin e tij dhe me principialitetin e tij” në çdo detyrë politike e shtetërore.
“Ai lë pas një trashëgimi shumë pozitive dhe një kujtim të paharruar për të gjithë ata të cilëve iu shërbeu me përkushtim, besnikëri dhe për gjithë ata që e patën mundësinë ta njihnin gjithmonë nga pranë e të njihnin dhe virtytet më të mira njerëzore që mishëronte”, mbylli fjalën e tij Presidenti Meta.
Më herët, në nder të ish-Presidentit Nishani, i pranishëm ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në fjalën e tij, ai tha se ish-Presidenti ishte “një qytetar shembullor, prind i shkëlqyer, një bashkëshort dhe baba fisnik”.
Automjeti me arkëmortin e ish-kreut të shtetit kaloi mbrëmjen e së martës në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ish-presidenti Nishani u nderua edhe nga forcat policore të Kosovës.
Arkëmorti u vendos në sallën e Presidencës “Skënderbeu” dhe, të entjen pas orës 12:00, do të dërgohet për te varrezat e Sharrës./AP/