Arrin në 20 numri i të prekurve nga virusi i fruthit në vendin tonë. Frika nga fruthi ka rritur fluksin e prindërve që kërkojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre, ndonëse më parë kishin deklaruar që nuk do ta bënin.
Mjekja Silva Bino ka deklaruar për media se fruthi ka hyrë në Shqiopëri përmes një kontakti të një fëmije me një shtetas kosovar në ambientet e QTU dhe se ka prekur fëmijë të moshës deri 3 vjeç.
“Nuk ia kishim bërë se duke dëgjuar që jo duhet të flasë, duhet të ecë. Kishim deklaruar se do ta shtyjmë”, tregon nëna e një vajze të sapovaksionuar.
Në konsultoren e Qendrës Shëndetësore nr.3 thonë se që pas shfaqjes së fruthit, fluks prindërish kërkojnë të aplikojnë vaksinën tek fëmijët e tyre.
“Kemi kërkuar vaksinë shtesë për ta përballuar dhe nga dy ditë në javë që bëheshin më parë, tani po bëjmë çdo ditë”, thotë mjekja pediatre, Mimoza Cabiri.
Të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se një javë më parë numëroheshin 1200 fëmijë të moshës 1 vjeç të pavaksinuar, ndërkohë që vetëm për një javë numri i tyre ka rënë nën 1000. Këtë e konfirmon dhe pediatrja Cabiri.
“Kane ardhur i kanë tërhequr deklarata se më parë shkruanin që ‘mbaj përgjegjësi’ dhe se nuk u pëlqente të vaksinonin fëmijët e tyre”, thotë ajo.
Ndërkohë, në të gjitha institucionet arsimore, çerdhe, kopshte, shkolla po u kërkohen nxënësve dhe fëmijëve vërtetime nga qendrat e tyre shëndetësore për respektimin plotë të kalendarit kombëtar të vaksinave.
Fruthi është sëmundje ngjitëse që shfaqet me temperaturë të lartë, ekzema në fytyrë. Virusi i fruthit përhapet nëpërmjet kollitjes, teshtimës dhe zgjat nga 10 deri në 20 ditë.