Frrok Çupi

 

Kaq është. Asgjë më shumë. Çdo vit që ndërrohet, këta fryjnë ngjarjen e pandodhur dhe njëri tjetrin. Asgjë tjetër. Edhe atëherë, në vitin 1992 ku këta referohen, njësoj ishte. Edhe atëherë ishte e Diele, si sot. Ose sot si atëherë.

Tani thonë se ka ndodhur ‘gjëja e madhe’, dhe këtë guxojnë ta thonë bazuar mbi një fenomen që nuk ndryshon kurrë. Bazohen mbi vdekjen. Dëshmitarët e asaj të Diele, protagonistët dhe deri te punëtorët e Tiranës, shumica kanë vdekur. Këta sot ngjiten në tribuna dhe u flasin eshtrave se sa të fortë janë para tyre. U thonë se ‘ bëmë revolucionin Demokratik’ kur vetëm ata përfituan. As ata nuk janë.

Atë të Diele u krijua një realitet që nuk ndryshoi nga realiteti para tij.

Kishte uri para kësaj date? Kishte. Por kishte edhe pas të Dielës 22.

Kishte censurë para datës 22? Pas kësaj dite 1992 u shtua edhe dhuna. Revolucioni Demokratik krijoji sistemin e dhunës që nga rruga deri në zyrën e kryetarit të shtetit. Me dhunë deklaruan se do të mposhtin varfërinë.

Deri në mesditën e 22 marsit 1992 a ishte shuar shpresa për të ardhmen? Pas asaj dite shpresa humbi përgjithmonë. Pse thonë se atëherë ekzistonte njeriu i mirë! Tani jo më.

Siguria se ‘në mes të natës gruaja dhe fëmija mund të kthehen nga puna me siguri të plotë’ nuk është më as ëndërr. Opinioni publik u kthye në tirani. Nga lufta e klasave e menaxhuar nga dikush shpërtheu konflikti të gjithë kundër të gjithëve, e majta dhe e djathta, i burgosuri dhe njeriu i lirë ose askush i lirë.

Njëra krahinë u armatos që të vrasë krahinën tjetër. U shpik hajduti shtet, që nuk kishte ekzistuar. Shteti taksambledhës u kthye në shtet fajdesh.

Nisi etja për kthimin në ‘perandorinë e vjetër’, që nuk i dihet cila ishte vetë perandoria. A ishte Otomania, a ishte Hazhi Qamili, a Ismail Qemali, a Mbreti apo Komunizmi. Gjithçka u kthye në ‘ fan spathi’, me kokë poshtë.

Nisën të mallkonin Enverin, por për mirë. Herë thonë ‘pse s’na solle Gabin dhe mishin e Brazilit’, se ashtu të rrije në pushtet edhe një shekull. Herë e mallkuan pse nuk i kishte hapur portat më parë që të shfryhej vendi drejt emigrimit.

Tani që ndodhi lufta në Iran, bash ditën e Ashures Iraniane, këtu falen për Enverin që na la hidrocentrale. Me sytë në ngushticën e Hormuzit:

“Shikoni botën si po vuan për energji, ne kemi energji nga ai i pari”.

Po këta që bënë revolucionin 22, çfarë sollën? Prishën atë që ishte, nuk dogjën dot ujin e hidrocentraleve.

Nëse thonë se në datë 22 ka një ngjarje, atëherë ngjarja është e rëndë. Më mirë do të ishte të mbyllnim sytë dhe të mendojmë se ‘nuk ndodhi gjë, thjesht datë 22”. Ngjarja është aq e rëndë sa na ka marrë një brez të tërë. Edhe na ka ndotur të gjithë të gjallëve ajo datë, 22. Jo data, por ata njerëz të pistë.

Revolucioni i tyre vazhdon të vërë zinxhirët mbi mashtrime dhe të tentojë të krijojë sa më shumë të varfër.

Kjo është fotografia e atij revolucioni.

Ata pozojnë prapë para një date që ka vdekur, ose nuk u ngjall kurrë. Vetëm fotografia, kjo është koha e vdekur.

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *