Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ato të Malit të Zi kanë finalizuar një operacion anti-drogë duke arrestuar dy trafikantë që tentonin të transportonin drogë me skaf- raporton bë.

Policia thotë zyrtarisht se trafikantët janë duke eksperimentuar por pa sukses rrugë alternative për shkak të vështirësisë së hasur në ujërat shqiptare ku operojnë forcat e policisë së kufirit dhe të Guardia di Finanza të Nuklit të Kufirit Detar të Durrësit dhe Vlorës. Informacionet kalojnë në kohë reale nga Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi duke krijuar një rrjetë të pakalueshme për trafikantët. Ndjekja e gjatë prej pothuaj 5 orësh, bëri të mundur bllokimin e gomones së fuqisë së lartë me tre motorë.

Dy trafikantët u ndaluan në det të hapur nga Guardia di Finanza e Termolit dhe Barit të drejtuar nga avioni i Frontex. Forcat e policisë së kufirit të Shqipërisë me koordinimin e QNOD, NUFROM i Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë dhe policia e kufirit të Malit të Zi kishin dalë në afërsi të kufirit Shqipëri -Mali i Zi ku edhe ishte drejtuar gomonia pasi i ishte afruar njëherë bregdetit të Termolit në Molizë nga ku edhe ka filluar ndjekja.

Gjatë ndjekjes trafikantët kanë hedhur në det ngarkesën duke e bërë më të vështirë ndjekjen. Tashmë trafikantët dhe gomonia janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar autoriteteve gjyqësore italiane. Vijon rikuperimi i lëndës narkotike, ku ende nuk dihet pesha, pasi për shkak të errësirës është vështirë rikuperimi në det i lëndës narkotike. Për shkak të sekretit hetimor rezervohen të jepen detaje.

Veritas.com.al/