Nga Stefan Lehne

Ardhja në Evropë e më shumë se 1 milionë azilkërkuesve në vitin 2015, shkaktoi një krizë në BE si asnjë tjetër para saj. Ngjashëm me bashkimin monetar të BE-së, sistemi Shengen i kufijve të hapur rezultoi të jetë difektoz, ndërsa përballë një fluksi masiv refugjatësh, Rregullorja e Dublinit, e cila cakton përgjegjësinë për regjistrimin dhe përpunimin e kërkesave për azil në vendin e parë ku mbërrijnë refugjatët, u provua si e padrejtë dhe përfundimisht e paqëndrueshme. Greqia dhe Italia, nuk i përmbushën dot detyrimet e tyre, dhe refugjatët u lejuan të lëvizin kudo që ata dëshironin. Kjo imponoi një barrë po aq të paqëndrueshëm tek shtetet e tjera anëtare, ku shumica e refugjatëve përfunduan, kryesisht në Gjermani, por edhe në Suedi, Austri, vendet e Beneluksit dhe Finlandë.
Pse BE-ja ka dështuar deri më tani
Një faktor i rëndësishëm ishte konteksti historik. Kriza mbi sistemin Shengen erdhi në një kohë, kur solidariteti në mesin e 28 vendeve anëtare, qe tashmë në një pikë të ulët. Paqëndrueshmëria e eurozonës, e kishte zvogëluar vetëbesimin e BE-së dhe besimin reciprok mes shteteve anëtare. Rimëkëmbja e ngadaltë ekonomike në zonën e monedhës e përbashkët, udhëheqja e dobët politike të BE-së, si dhe rritja e partive populiste anti-BE-së në shumë shtete anëtare, rezultoi në përhapjen e një perceptimi të gjerë të pafuqisë së Evropës dhe zevëndësimit të saj me identitetet kombëtare, në kurriz të mbështetjes për integrimin në BE .
Përkundrejt këtij sfondi, krerët e rinj të institucioneve të BE – Donald Tusk si president i Këshillit të Evropës dhe Zhan Klod Junker si president i Komisionit Evropian, u përpoqën të krijojnë rreth vetes imazhin e udhëheqësve të besueshëm, kur morën detyrat përkatëse në fund të vitit 2014. Junker me retorikën e zymtë të “Komisioni të shansit të fundit” dhe një unioni me një “pamjaftueshmëri bashkimi”, dhe paralajmërimet e përsëritura të zotit Tusk mbi shpërbërjen e afërt e Shengenit, qenë dëshmi e ankthit që mbizotëronte në krye të institucioneve evropiane.
Në mungesë të udhëzimeve të qarta nga institucionet e Brukselit, kancelarja gjermane Angela Merkel vazhdoi fillimisht me rolin udhëheqës që ajo kishte marrë në krizën e euros. Por rezervat në shumë kryeqytete rreth dominimit gjerman, u përforcuan me pozitën e veçantë të Berlinit në krizën e refugjatëve.
Kur bëhej fjalë për shpëtimin e Greqisë falimentimi, apo përballjen me Rusinë mbi aneksimin e Krimesë në mars të vitit 2014, Gjermania, si shteti më i madh dhe anëtarja ekonomikisht më e fuqishme, qe pjesë thelbësore e çdo zgjidhje dhe për pasojë e aftë për një rol kryesor në formësimin e reagimit të BE-së. Por në krizën e refugjatëve, Gjermania, duke patur numrin më të madh të azilkërkuesve, kërkoi me urgjencë solidaritetin e pjesës tjetër të BE-së.
Por arritja e kësaj të fundit është një detyrë shumë e vështirë. Vetëm një pakicë vendesh të unionit, janë prekur ndjeshëm nga kriza e refugjatëve, dhe ato ndahen në 3 grupe të ndryshme. Shtetet ku refugjatët mbërrijnë më së pari qenë, të etur të kapërcenin pengesat e Rregullores së Dublinit. Vendet tranzit u tunduan të devijon fluksin e emigrantëve drejt vendeve të tjera, duke mbyllur kufijtë e tyre në mënyrë selektive. Dhe vendet e grupit të tretë, ku përfundoi shumica e refugjatëve, që dëshironin të ngadalësonin hyrjen e tyre dhe bënë thirrje për ndarjen e barrës.
Dështimi i BE-së për të menaxhuar këtë krizë, është edhe më i rëndë për shkak se është kuptuar mirë, se fluksi i refugjatëve dhe emigrantëve ka të ngjarë të vazhdojë për vite e ndoshta dekada. Dhe kjo do të sjellë si përfitime ashtu edhe sfida. Shumë ekonomistë besojnë se në kuadrin e lindjeve të pakta në shumicën e vendeve të BE-së, një numër i madh emigrantësh do të jetë i nevojshëm për të ruajtur potencialin e rritjes ekonomike, dhe për të siguruar financimin afatgjatë të sistemeve të mirëqenies sociale në Evropë. Në të njëjtën kohë, hyrjet tepër të shpejta dhe të pakontrolluara, mund të dëmtojnë kapacitetet për të integruar të ardhurit e rinj, tendosin sistemet sociale dhe arsimore të vendeve pritëse, si dhe shtojnë përplasjet politike ksenofobe dhe nacionaliste.
Skenari i parë: Drejt një unioni gjithnjë e më të lirshëm
Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, ka kërkuar përjashtimin e vendit të tij nga njëri prej angazhimeve të traktatit të BE-së “për të krijuar një bashkim gjithnjë e më të ngushtë”. Nëse dinamika aktuale në BE nuk ndryshon, ai nuk ka pse të shqetësohet. Në fakt, BE-ja mund të jetë duke lëvizur me shpejtësi drejt një bashkimi gjithnjë më të lirshëm, në të cilin besimi dhe solidariteti në mesin e shteteve anëtare zvogëlohen, dhe arritjet e dekadave të fundit vihen në rrezik.
Rreziku me të cilën është duke u përballur BE-ja, shkon përtej mbijetesës së Shengenit. Alibia prej një kohë të gjatë, se BE-ja i nënshtrohet shumë krizave por gjithmonë del më e fortë prej tyre, e ka humbur besueshmërinë. Ka pasur shumë periudha të tensioneve të larta dhe stanjacionit. Por kjo është hera e parë që sfidat e reja po i përçajnë vendet anëtare, dhe në këto kushte procesi i integrimit mund të ecë në drejtimin e kundërt.
Është e vërtetë se në përballjen me krizën e euros, BE-ja rezultoi të jetë shumë më elastike se sa mund të kishte pritur shumëkush, por kriza e refugjatëve përfshin një dinamikë tjetër. Ndërsa shpërbërja e euros do të kishte shkaktuar një katastrofë ekonomike, që duhej të shmangej edhe me koston e politikave shtrënguese jopopullore dhe hapat drejt një centralizimi më të madh, shpërbërja graduale e Shengenit duket relativisht beninje.
Sigurisht, do të ketë kosto ekonomike dhe një shqetësim të konsiderueshëm për udhëtarët që do të detyrohen të kalojnë sërish nëpër kontrollet kufitare, por për shumë qytetarë skeptike ndaj BE-së, kjo do të ishte e keqja më e vogël në krahasim me heqjen dorë nga më shumë sovranitet, dhe duke pranuar një numër të madh refugjatësh në emër të solidariteti europian.
Ky skenar mund të shmanget, vetëm nëse mund të gjendet një përgjigje e përbashkët për krizën e refugjatëve, si dhe përfundojnë projekte të rëndësishme për integrimin e mëtejshëm, si bashkimi monetar, energjitik apo pasja e një politikë të jashtme, të forte e të përbashkët.
Skenari i dytë: Një bërthamë e re anëtarësh, tejet të angazhuar ndaj BE-së
Në mes të nëntorit 2015, kryeministri holandez Mark Rutte dhe ministri i Financave, Jeroen Dijsselbloem, hodhën idenë e një mini-Shengeni që do të përbëhet nga Austria, Belgjika, Gjermania, Luksemburgu dhe Holanda. Ky nuk u bë një propozim zyrtar, dhe ishte menduar ndoshta kryesisht si një paralajmërim ndaj vendeve anëtare në jug dhe lindje, që nuk u binden rregullave të Shengenit, ose kanë treguar një solidaritet të pamjaftueshëm në pranimin e refugjatëve.
Përballë protestave të forta, çdo palë e interesuar, duke përfshirë qeverinë holandeze, konfirmoi preferencën e saj për gjetjen e zgjidhjeve brenda kuadrit aktual Shengen. Në fakt një numër politikanësh vazhdon të këmbëngulë, se vetëm vendet realisht të përkushtuara ndaj solidaritetit dhe besnikë në zbatimin e rregullave, duhet të kenë një vend në Shengen.
Interesant është fakti se propozimi holandez për Shengenin dhe të ashtuquajturin ‘koalicion i vullnetit’, qe lënia jashtë e Francës. Është e vërtetë se Parisi ka marrë një qëndrim shumë më të kufizuar ndaj refugjatëve sesa Berlini, dhe se Franca, tradicionalisht mbrojtëse e sovranitetit të saj, mund të jetë e gatshme të marrë pjesë në njëjtësimin e politikave të azilit dhe emigracionit, që mund të sjellë edhe një iniciativë e mini-Shengenit.
Grupi i ri mund të krijohet si pasojë e marrëveshje emergjente.ad hoc Përfundimisht, mund të ndiqet precedenti i Marrëveshjes origjinale të Shengenit, e cila u firmos në vitin 1985 jashtë kuadrit të BE-së nga vetëm 5 vende (Belgjika, Franca, Gjermania, Luksemburgu dhe Holanda) dhe më pas u inkorporua në ligjin e BE-së përmes Traktatit të Amsterdamit në vitin 1999.
Një traktat i ri, i hartuar nga një grup kryesor shtetesh, do të përfshijë rregullat e përbashkëta për sigurimin e kufijve të jashtëm të zonës mini-Shengen, dhe mënyrën e trajtimit të çështjeve të azilit dhe emigracionit. Ai gjithashtu do të duhet të themelojë institucionet të reja të përbashkëta për zbatimin e këtyre politikave. Një zhvillim i tillë, mund të krijojë më shumë përçarje, ndonëse shumica e vendeve të lëna jashtë bërthamës së re do të durojë dhe i rezistojnë përjashtimit, në një kohë që disa grupime politike do të vlerësojnë rikthimin e sovranitetit, në raport me çështjet e emigracionit.
Skenari i tretë: Ringjallja e plotë e Shengenit
Terapia për rishëndoshjen e sistemit Shengen, nuk është si shkenca e raketave. Sfida kryesore politike, do të jetë rivendosja e besimit mes vendeve në kufijtë e jashtëm të BE-së, dhe shteteve ku kanë përfunduar shumica e azilkërkuesve. Në qendër të diskutimeve do të jetë sigurimi i kontrollit efektiv të kufijve të jashtëm, nëpërmjet përpjekjeve të ripërtërira kombëtare të mbështetura nga rojet kufitare dhe bregdetare të BE-së, në këmbim të një mekanizmi të besueshëm për ndarjen e barrës së refugjatëve.
Rregullorja e Dublinit është sigurisht e vjetëruar, por koncepti se refugjatët mund të zgjedhin lirisht gjendjen e tyre të azilit, është po aq i paqëndrueshëm. Një marrëveshje e re, ndoshta do të përfshijë një sistem kuotash për shpërndarjen e azilkërkuesve në të gjithë BE-së, dhe mund të përfshijë edhe ndarjen e barrës financiare. Një marrëveshje për shpëndarjen e drejtë të barrës do të duhet të përfshijë vendet e Shengenit, të cilat deri më tani kanë pranuar shumë pak azilkërkues, siç janë ato të Evropës Qëndrore.
Ndoshta vetëm kërcënimi i krijimit të një mini-Shengeni, ose skenarit për një udhëtim i kufizuar pa pasaporta për një grup më të vogël vendesh, mund t’i bindë më në fund ato që të përmbushin detyrimet e tyre. Angazhimi intensiv me vendet e tranzitit dhe shtetet nga të cilat rrjedh emigracioni, do të jenë vendimtare për rifitimin e kontrollin mbi fluksin e njerëzve.
Ndërkaq së bashku me këto vende, BE-ja duhet të zhvillojë politika të fuqishme për kthimin e emigrantëve të paligjshëm. Por gjendja e ekonomisë evropiane, zhvillimet politike brenda dhe ndërmjet shteteve anëtare, si dhe situate e sigurisë, veçanërisht në lidhje me kërcënimet terroriste, do të luajnë role të mëdha në formësimin e kushteve për përballimin e krizës.

(Marre me shkurtime nga “Carnegie Europe”)