Shqipëria ka marrë 2 anije me qira të cilat do të vendosen në Triportin e Vlorës dhe do të prodhojnë energji elektrike. Marrëveshja është nënshkruar tashmë, në mbështetje të SHBA-së dhe ambasadores Yuri Kim me një afat 2-vjeçar. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku u shpreh se kjo do të shërbejë për të siguruar një pavarësi energjike.

“I jep një frymëmarrje, në aspektin që detajet do i japim në ditët në vijim kur të kemi anijet e ankoruara nga Triport, me mbështetje dhe të Kim, kemi arritur marrëveshje për të marr me qira 2 anije të prodhimit të energjisë elektrike deri sa TEC të vihet në punë, janë termocentrale lundruese dhe janë arritje e madhe se do na garantojë një pavarësi energjike, sigurisht e kufizuat”, tha Balluku.

Një nga anëtarët e grupit të punës, Arbër Avrami ka dhënë detaje konkrete, ku është shprehur se kapaciteti i një prej këtyre anijeve është 114 megawat në orë dhe do të ketë çmime konkurruese sa i përket edhe tregut aktual të bursës, i cili për shkak të luftës në Ukrainë ka pësuar tronditje të mëdha. Këto anije priten që të vihen në punë brenda 3 muajve, e cila përkon me periudhën e verës, ku dhe vendi ynë kërkon më shumë sasi energjie.

“Jemi të lumtur që kemi përmbyllur nëpërmjet KESH këtë kontratë, që kanë ofruar një zgjidhje emergjente për prodhimin energjisë në këtë situatë do të sigurojë një siguri energjetike për 2 vjet. Kapaciteti i kësaj anije është 114 megawat në orë, sigurisht kjo kontratë do të jetë e përkohshme, do të përdoret në rastet emergjente nga KESH, do jetë një fazë tranzitore deri sa të vihet në punë TEC, shpresojmë që këto makineri të vihen në punë brenda 3 muajve, pra përkon me periudhën e verës, ku vendi ynë kërkon më shumë sasi energjie, me një çmim mjaft konkurrues, sa i përket edhe tregut aktual të bursës”, tha Avrami.

Nisur nga fakti që Vlora është një nga vendet më turistike dhe më të frekuentuara gjatë sezonit të verës, Balluku u kujdes të theksonte se këto 2 anijet janë te certifikuar nga Banka Botërore, pra respektojnë kushtet ambientale.

“Janë në respektim e kushteve ambientale, këto termocenteale do të jenë në përputhshmëri të plotë me kushtet sa si përket ambientit të pastër dhe këto anije i kanë”, tha Balluku.