Nga: L. Skiro/
Diktaturën komuniste po e mbajnë më këmbë si një ‘muze’, por edhe në ‘muze’ nuk ka relike origjinale. Përkujtimi i sotëm i 5 Majit nga gjithë kupola e shtetit, dëshmoi se vetë historia heroike ‘çlirimtare dhe kombëtare’ e krijuar e komunizmit, është artificiale.
5 Maji- si ditë e dëshmorëve u caktua nga regjimi komunist, me frymëzimin nga figura e komunistit Qemal Stafa. Vetë Qemal Stafa, si i ri komunist nuk kishte kontribute të njohura në Luftën Nacional- Çlirimtare; ai vetë u vra në moshë të re ende pa nisur lufta, në vitin 1942. Por siç po dëshmon historia e treguar pa censurë, vetë Qemali u vra nga një atentat i kurdisur prej vetë Enver Hoxhës- më vonë diktator i Shqipërisë.
Falsiteti i 5 Majit nis që në ditën e pikënisjes së ‘ditës së shënuar’. Megjithatë gjithë lidershipi politik i vendit, maxhorancë e opozitë, sot e kësaj dite festojnë me ‘krenari’ të madhe para popullit një datë që në fakt është ‘fake’. Të paktën të përkujtohej si një datë kur diktatori, akoma pa ardhur në pushtet, kreu atentat brenda përbrenda grupimit komunist.
Dita e dëshmorëve është, vulosur në histori si ditë e komunistëve. Por për çlirimin e vendit luftuan të gjithë patriotët e vendit, sado që të organizuar në grupime që nuk ishin komuniste. Prej tre dekadash akoma nuk është vënë në vend kjo padrejtësi. Padrejtësi të tilla e kanë çuar popullin disa herë në konflikte dhe në përçarje, deri edhe në Luftë Civile. Sot, me 5 Maji, te Varrezat e Dëshmorëve ku ndodhej edhe varri i Enver Hoxhës- jo dëshmor, plasi konflikti dhe përleshja fizike brenda përbrenda vetë komunistëve, brenda komunistëve veteranë dhe qytetarëve të lirë që u ndodhën aty. Artificialiteti i Luftës e ka prurë situatën në nivele qesharake.
Vetë numri i dëshmorëve të Atdheut është ‘fake’. Udhëheqësia sot e kësaj dite mblidhet për të kujtuar ’28 mijë dëshmorët’ e rënë për atdhe, por në fakt brenda në ndërgjegje e dinë se kjo është një lojë. Aq më keq që është një lojë e krijuar nga diktatori Hoxha. Këta të tanishmit e shpallin veten anti- komunistë dhe kundër diktaturës, ndërkohë nderojnë gjithë ‘lojën e keqe’ të diktaturës edhe me vetë ‘dëshmorët e ardhur’. Shifra ’28 mijë dëshmorë’’ u caktua në një moment ‘pa mendje’ nga vetë diktatori Hoxha. Ai desh të shfaqej ‘i informuar’’ për Lufën para diktatorit sovjetik Stalin, dhe i dha këtë shifër me qëllim ‘simbolist’ se ndërsa atdheu ka 28 mijë kilometra katrore tokë, po kaq- 28 mijë ka edhe dëshmorë.
Njësoj si ‘fasada’ sot që zbukurohet jashtë realitetit, kur vendi vuan varfërinë dhe krimin, por pamja është e ndritur.
Në gjithë sistemin e Luftës kanë mbetur relike të pavërteta. Me këto relike diktatori dhunoi lirinë për gati gjysmë shekulli. Por rilket false të diktaturës nderohen me tam- tame të mëdha nga post diktatura, në 5 Maj.
Veritas.com.al/