Policia greke në portin e Pireut gjeti, këtë të martë, 210 kilogramë kokainë të fshehur në një kontejner me karkaleca të ngrirë, të nisur nga Amerika Latine, që kishte për destinacion final Shqipërinë.
Autoritetet kanë publikuar detaje nga operacioni, duke bërë me dije se vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet se do t’i kalonte 5 milionë euro.
Operacioni është realizuar nga oficerët e Prokurorisë së Narkotikëve në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe godet një organizatë që ka transportuar edhe më parë drogë nga Amerika Latine.
Në pranga kanë rënë dy shtetas shqiptarë dhe dy grekë, të katërt të njohur nga policia helene si eksponentë kriminalë. Gjatë operacionit, policia ka mësyrë edhe në banesat e të arrestuarve duke gjetur kokainë, kanabis, mbi 130 mijë euro kesh, armë dhe fishekë.