Kanë kaluar 5 vite nga themelimi i Reformës në Drejtësi, ndaj ambasadorja e SHBA, Yuri Kim tha se shumë persona nuk kanë dashur që kjo reformë të bëhet, por duhet ecur në këtë drejtim në mënyrë që sistemi në drejtësi të funksionojë për të gjithë.

 Ndërsa Kim shprehu me bindje se mbështetja e SHBA për Shqipërinë do të vijojë edhe në administratën e Joe Biden. Ambasadorja amerikane shtoi se ka ardhur koha që të mbizotërojë drejtësia në Shqipëri pasi është bërë shumë progres deri tani dhe duhet të vijojë. Një mesazh të qartë dha dhe për ata që mendojnë se janë të fuqishëm duke thënë se “askush s’është mbi ligjin”.

Yuri Kim: Të gjitha institucionet janë tashmë funksionale, KLGJ, Kushtetuesja pra institucionet janë funksionale. Është edhe SPAK që po jep rezultate. Ka patur luftë ndaj korrupsionit, janë rrëzuar gjykatës të korruptuar, po tregohet se ligji është i barabartë për të gjithë. S’ka rëndësi sa i fuqishëm mendon se je, askush s’është mbi ligjin.

 Kjo është shpresa e të gjithëve për të bërë reformën në drejtësi sic duhet dhe të japim shpresë për brezat e ardhshëm. Po shohim rezultate, po luftohet krimi i organizuar.

Të gjithë institucionet e reja të drejtësisë tashmë janë funksionale. Shumë mund të vazhdojnë të shpresojnë dhe të tjerë të veprojnë që ta pengojnë që të vazhdojë. Është detyrë e shqiptarëve në këtë tavolinë që të vazhdojnë këtë punë. Është momenti për një epokë të re në Shqipëri. Është një fillim, keni bërë progres,ka ende shumë për të bërë. Është një moment kritik. SHBA është me ju që të vazhdoni punën. Ne kemi mbështetur Reformën në Drejtësi që prej fillimit dhe do të jemi me ju deri në fund. Ju siguroj që mbështetja do të vazhdojë me ju edhe në administratën e Biden. Është koha për të festuar, por ka akoma më shumë për të bërë, është moment për të bërë një pasqyrim efektiv të asaj çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëjmë ende. Duhet të besoni në ndryshim, të bëni sistemin  që të funksionojë për të gjithë. Është momenti për të treguar se drejtësia do të mbizotërojë në Shqipëri.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj evidentoi disa sfida me të cilat është përballur gjatë gjithë kësaj kohe. Gjonaj theksoi se po ecën në rrugën e duhur ndërsa lufta ndaj korrupsionit me pastrimin e sisttemit nga prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar po njeh rezultate.

“Janë provë e një sërë arritjesh që kanë shërbyer si gur themeli në kapërcimin e sfidave, që tregojnë se Reforma është në udhën e duhur. Është garantuar paanësia e sistemit të drejtësisë të pa ndikuar nga politika apo faktor të jashtëm. Lufta ndaj korrupsionit po njeh një kurbë rritëse duke shënuar me rezultate të prekshme dhe të mirëpritura.

Pastrimi i sistemit nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar si dhe rezultat e SPAK janë domethënëse dhe shpresëdhënëse që dëshmojnë se reforma do të rikthejë besimin në drejtësi. Kushtetuesja dhe Gjykata e Lartë është ngritur, e dimë që sfidat  e të cilat përballet Reforma nuk janë të pakta, vettingu duhet të vijojë më shpejta, vakansat e krijuar në sistem kanë sjellë nevojë rritjen e numrit të pranimeve në shkollën e magjistraturës, por duke ruajtur sistemin, rritja e eficensës do të ndihmohet edhe nga harta e re ligjore, një hap i rëndësishëm ishin dhe ndryshimet ligjore në maj të 2021″, tha ndër të tjera Gjonaj.

VERITAS.COM.AL