Policia e Shtetit ka bërë bilancin e muajit nëntor, duke zbuluar se janë finalizuar 73 operacione, që kanë çuar në pranga 568 autorë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Uniformat Blu sqarojnë se 10 nga këto operacione janë finalizuar në bashkëpunim me partnerët, për kapjen ose ekstradimin e të kërkuarve ndërkombëtarisht.
Gjatë këtij muaji, u sekuestruan 127 kg kanabis, 6.1 kg kokainë, mijëra doza të këtyre lëndëve, si dhe 578 fidanë narkotikë dhe pajisje për kultivimin e fidanëve me anë të llambave në ambiente të mbyllura.
Po ashtu u sekuestruan 14 armë zjarri, mbi 1.8 milionë euro me burime të dyshimta dhe 19 prona të pjesëtarit të një grupi kriminal.
“Strukturat operacionale dhe ato hetimore u angazhuan për finalizimin e një sërë operacionesh masive dhe tejet të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për goditjen e grupeve kriminale të implikuar në prodhim, shitje dhe trafikim Kokaine dhe Cannabisi, për goditjen e korrupsionit, si dhe për dhënie ndihme emigrantëve, për kalime ilegale kufijsh.
-U parandaluan dhe u goditën 2 tentativa për trafikim të Cannabisit (një rast nga Dubai në Rinas, ndërsa rasti tjetër nëpërmjet PKK Kapshticës, në Greqi).
-Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, si dhe bazuar në inteligjencën policore u parandaluan ngjarje kriminale në Dibër dhe në Kurbin, të cilat mund të kryheshin me armë dhe/ose me lëndë djegëse.
-Falë punës profesionale hetimore u mundësuan zbardhja e 1 vrasjeje të kryer në Tiranë, djegies e 2 automjeteve në Shkodër dhe e një rasti zjarrvënieje në Peqin.
-U finalizuan 9 operacione për zbardhjen e vjedhjeve.
-Angazhimi i Policisë Kufitare goditi 5 tentativa për të kaluar nëpërmjet pikave të kalimit kufitar shuma parash, pa i deklaruar. Në këtë kuadër u parandaluan dhe u goditën 2 tentativa të njëpasnjëshme, për futjen në Shqipëri, të mbi 1 milion eurove.
-Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim strukturat vendore të Policisë, goditi 6 raste të krimeve kibernetike, si: publikim të paautorizuar materialesh intime, shantazhe, si dhe këmbim parash në kriptomonedha dhe e anasjella.
-Nga strukturat hetimore dhe operacionale në qarqe u zhvilluan aksione masive kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kryesisht në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Fier. U zbuluan lokale të përshtatura për këtë paligjshmëri, u nxorën përpara përgjegjësisë penale autorët dhe u sekuestruan pajisje.
-U goditën 6 raste në fushën e kontrabandës, si dhe të 4 rasteve të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim ilegal, drejt shteteve të BE-së.”
Edhe policia Rrugore ka vijuar kontrollet dhe monitorimet intensive, në të gjitha akset e vendit, duke përdorur mjetet logjistike inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.
Si rezultat i monitorimit me shërbime dhe me pajisje inteligjente janë vënë në pranga 219 drejtues mjetesh, nga të cilët 125 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 94 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
“Si rezultat i monitorimit të qarkullimit me mjetet inteligjente shpejtësimatës janë vendosur 3150 masa administrative për shpejtësi tej normave të lejuara, që kanë masë plotësuese pezullimin e lejes së drejtimit dhe zbritjen e pikëve nga leja e drejtimit. Gjithashtu, janë pezulluar 24 leje drejtimi, për drejtim mjeti në efektin e pijeve alkoolike dhe 166 leje drejtimi, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor. Janë goditur 38 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, 14 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufijtë dhe 3 raste të trafikimit të mjeteve motorike.”