Pasi prekën fundin, monedhat e huaja këtë javë kanë nisur të ringjallen duke dhënë një sinjal shprese në treg.
Kjo për ekspertin për çështjet ekonomike Adrian Civici mund të përkufizohet si “luhatje e vogël”, e cila vjen si pasojë e veprimeve monetare që ndodhin në tregun shqiptar.
Gjatë intervistës në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Civici theksoi se është ende herët për të thënë se monedhat kanë nisur të hyjnë në një trajektore rritëse.
“Mendoj se janë luhatje të vogla që ndodhin nga veprimet që ndodhin për shkak të veprimeve monetare në tregun shqiptar, që është një treg i vogël dhe lëvizjet e ditë që mund të ndodhin kanë një ndikim minimal, por nuk besoj se janë tregues për ndryshim të tendencës, sepse nëse do kishim konkluzion duhet të prisnim të paktën disa javë, ku kursi i këmbimit, ose riforcimi i euros dhe dollarit të ishin në mënyrë konsistente nga njëra javë në tjetrën”, u shpreh ai.
Ai tha se ekonomia shqiptare nuk varet vetëm nga faktorët e brendshëm, por një ndikim direk dhe indirekt ka klima financiare e vendeve europiane.
“Shqipëria është e lidhur me eurozonën dhe zonën e shteteve evropiane, por njëkohësisht duke pasur parasysh rolin e remitancave në ekonominë shqiptare dhe përqindja më e madhe e emigracionit ekonomik shqiptar është në këto vende dhe çdo cenim që mund të ketë ekonomia e këtyre vendeve reflektohet direkt ose indirekt në vendin tonë”, tha ai.
Duke analizuar trajektoren ekonomike, por edhe zhvillimet gjeopolitike, Civici tha se parashikohet që niveli i inflacionit në Shqipëri të shkojë në kufirin e 3%, në mesin e dytë të vitit 2024.
“Më shumë se afrimi në objektivin e BSH në 3%, gjykoj se Banka e Shqipërisë vlerëson efektet që ka pasur deri tani kjo politike monetare shtrënguese në futjen e inflacionit në një trajektore rënëse. Niveli 4.5% është një nga nivelet më të ulëta të inflacionit. Politika monetare i ka dhënë efektet e saj, pritet që të japë edhe në muajt në vijim, dhe përderisa jemi në një tendencë rënëse, pavarësisht e shpejtë apo e ngadaltë qoftë, nuk mendoj se Banka e Shqipërisë do jetë e detyruar të bëjë ndërhyrje të tjera në politikën monetare duke rritur më tej normën bazë të interesit. Mendohet se në gjashtëmujorin e dytë të 2024, nëse nuk do ndodhin goditje të tjera, inflacioni do vijë duke u stabilizuar duke iu afruar kufirit 3%”, tha ai.
Mes tjerash, eksperti u ndal edhe tek problemet më të mëdha me të cilat po përballet sot ekonomia shqiptare.
Sipas Civicit, dy janë sfidat të cilët po e kushtëzojnë ekonominë tonë dhe ato janë zhvlerësimi i monedhave të huaja si dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Ai theksoi se shumë biznese kanë mungesë të theksuar të punonjësve, një sfidë kjo, e cila sipa Civicit pritet të reflektohet në bilancet e ekonomisë shqiptare.
“Problemi kryesor që po ndikon në ekonominë shqiptare çështja e dobësimi, i euros, dollarit dhe paundit, dhe forcimit të lekut, i cili ka sjellë një sërë vështirësish për bizneset ekspertuesit, por edhe në sektorin e turizmit dhe të shërbimeve. Së dyti, është problemi i mangësive të burimeve njerëzore, e cila vazhdon për shumë biznese të jetë një problem”, shtoi ai/