Frrok Çupi
Përmes shënimeve shumëvjeçare, po lëvizim sa në histori, në perceptime, me fotografi, me etnografë të mëdhenj, deri në ngjarje të vërteta se si ndodhi varrimi e si u ba zhvarrimi i madh i xhubletës.
Dëshmitare dhe punëtore në të gjithë jetën e xhubletës, që nga lindja në ringjallje, (histori sa virtuale edhe të prekshme), është Prof. dr. Afërdita Onuzi. Ajo thotë me nderim se kjo punë gjigande nuk mund të realizohej, përveçse me pjesëmarrjen e etnografëve Rrok Zojsi, Andromaqi Gjergji, Agim Bido, George von Hahn, Franc Nopcha, Rosel de Fontanes, etj. Xhubleta ‘të lë pa frymë’, thotë Afërdita, ‘ajo është dëshmitare e rrallë e qytetërimeve të lashta, të cilën ende nuk e kemi bërë të flasë sa duhet’.
Tregim për varrimin real:
Ngjarja është kjo dhe ka ndodhur në vitin 1971, në fshatin Berishë të Pukës; ka ndodhur para syve të Rrok Zojsit që ishte profesori dhe adhurimi i Afërditës. Rrok Zojsi kishte marrë rrugën fshat më fshat në Veri të vendit deri në Alpe, në kërkim të xhubletës. Xhubleta kishte dhënë shenja se po shkonte drejt frymës së fundit; nuk po e qëndiste kushmë. Etnografi i shquar kishte marrë edhe një buxhet me vete dhe do ta blinte për arkivin, të parën xhubletë që do të gjente. I thanë se kush e kishte ‘xhubletën e fundit’ në Berishë. Para syve të Prof. Rrok Zojsit u shfaq në grua në moshë, 93 vjeç, e zonja e xhubletës.
“Unë me shit xhubletën!?… Tan pasuninë e botës me ma dhanë, xhubletën nuk e shes”, tha e zonja.
Këqyri nga fytyra e Rrokut dhe iu duk se po shikonte mermer; etnografi nuk e reagonte sepse nuk e besonte betimin e zonjës së xhubletës.
Atëherë ajo mori një ‘shkamb’ më të madh për betimin se ‘nuk e shiste’.
“Nuk kam si e shes; me këtë xhubletë kam ardhë nuse e me këtë xhubletë kam me e veshë ditën e dekës’.
Etnografët heshtën prapë. Edhe zonja 93 vjeçare e xhubletës foli prapë:
“Nuk kam si e shes. Burri më mban mend me këtë xhubletë, çfarë t’i them kur të shkoj!’.
Atëherë nuk kishte më fjalë. E zonja 93 vjeçare vdiq pas dy javësh; xhubleta u varros bashkë me të.
Që atëherë nisi zhvarrimi i xhubletës kudo ku ishte:
Është vërtetuar se xhubleta është një veshje katërmijë vjeçare, dymijë vjet para Krishtit dhe dymijë vjet pas Krishtit. Ka edhe etnografë të botës, kolegë të Afërditës, që xhubletën e kanë quajtur ‘të vjetër sa njeriu’. Ajo tani ndodhet në Alpet e Shqipërisë dhe përreth tyre. Ajo është parë në veshjet e lashta të Mesdheut Lindor, në Serbi, në Malin e Zi, në Kretë dhe sot e kësaj dite ‘ngjan shumë me statuetat e Kliçevacit dhe të Kreto- Mikenës’, shkruan Prof. Onuzi. Një ekzemplar i saj, sipas Afërditës, ndodhet në Muzeun e Njeriut në Paris (Musee de l’Home). Piktori ynë i famshëm Kolë Idromeno e ka vizatuar në aq variante sa e gjeti kudo ku trokiti.
Sot gjendet, veç muzeve, edhe në zonat shqiptare rreth Alpeve, Malësi e Madhe, Kelmend, Dukagjin, Shalë e Shosh, Nikaj- Mertur… Po pse ‘u struk’ vetëm në rrëzë të Alpeve shqiptare? Jo se u ‘struk’, por se udhëtoi bashkë me ‘pronarin’ e vet që ishte banori shqiptar, i cili u detyrua të largohet nga fushat dhe të strehohet në male për shkak të pusshtimeve, që nga ato romake, otoman dhe sllave…
Tani xhubleta është e njohur dhe shpallur nga UNESCO si një objekt ento- kulturor shqiptar. Në librin e saj të fundit, një botim luksoz me titull ‘Xhubleta’, Afërdita Onuzi na ka sjellë gjithë rrugën e gjatë, ndoshta më e gjata e qytetërimeve, që ka kryer veshja tradicionale e grave shqiptare.
Xhubleta merr frymë si njeriu dhe është bash vetë njeriu:
Afërdita shkruan se ‘xhubleta ta merr frymën’ kur e sheh. Qysh në momentin kur nis të endet një xhubletë, ajo, si vetë njeriu, kryen vepra të mëdha njerëzore:
Bashkon njerëzit e familjes; dmth., të gjithë pjesëtarët, që nga burri, gruaja, fëmijët…, secili ka misionin e tij. Gruaja merret me drejtimin e punëve dhe me endjen, burri merret me rrahjen e shajakut në valanicë, fëmijët ndihmojnë me punë të vogla, dhe mbi të gjitha duke mos folur. Nuk duhet hapur goja në atë fillim. Vetë hëna merr pjesë në fillimin e xhubletës: Hëna duhet të jetë e plotë në qiell.
Këto na thotë Afërdita, kjo grua nga Luma që njeh më mirë Labërinë me dolli se sa Kukësin…
Pastaj vjen pjesa tjetër e ‘cikleve të njeriut’, sipas xhubletës. Këtu xhubleta shfaqet më e gjallë se kurrë:
Xhubleta për vajzat është më e thjeshta, por edhe si më hyjnorja. Ajo dominohet nga ngjyra e bardhë, si vetë vajzëria.
Në veshjen e grave shqiptare janë përdorur pesë kategori xhublete:
Kategoria e parë- e mira.
Kategoria e dytë- e pasmira.
Kategoria e tretë- e treta.
E katërta- e parakeqja.
E pesta- e keqja.
E mira vishej nga nuset e moshës 25 deri 30 vjeç.
Asnjëra nuk ishte e keqe, por e ‘keqe’ ishte mosha në të cilën vishej, mosha e pleqërisë, në prag të fundit të jetës.
-Edhe ajo ishte e bukur- shkruan Prof. Afërdita. E bukur duhej të ishte sepse ‘gruaja duhej shti në dhè e bukur’…
Një cikël shumë i gjatë jete, sa 4 mijë vjetët e xhubletës, e perceptuar që nga ‘varrimi real i xhubletës më të famshme’ në Berishë të Pukës e deri në dëshmitë që na japin etnografët e ndritur, mes të cilëve Prof. Afërdita Onuzi. Tani xhubleta është prapë në jetë.