Debati i gjatë mbi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë duket se është mbyllur më në fund. Kryeministri Edi Rama, me sa duket e ka mbajtur fjalën për t’i prerë financimet Akademisë. Me këtë rast ai e ka quajtur institucionin më të lartë shkencor të vendit si një ‘ekzistencë sovjetike’
Kryeministri Edi Rama tha se nuk do të financojnë Akademinë e Shkencave. Sipas tij, ai vazhdon të jetë një institucion që mbi çatinë e tij vazhdon të valëvitet flamuri sovjetik.
Rama tha se Akademia e Shkencave duhet ti nënshtrohet një reformimi që nuk diktohet nga qeveria. Ndërsa investimet do të shkojnë për kërkimin shkencor në Universitet.
“Ne nuk do të financojmë Akademinë e Shkencave. Ka një keqkuptim të madh pasi është ngritur në hava një akuzë se po i japim dermën studimeve albanologjike…Jo. Nuk është e vërtetë. Qendra e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë të financohet siç është financuar. Studimet albanologjike do të mbështeten drejtpërdrejt. Ndërkohë që në kushtet e reja Akademia Sovjetike e Shkencave do të duhet të hyjë në një proces reforme që nuk diktohet nga shteti. Ndërkohë paratë e shpenzuara kot për rroga dhe shpenzime të pajustifikuara për të tundur flamurin sovjetik mbi çatinë e ASH, edhe 27 vjet pas rënies së komunizmit dhe nuk e di sa vite bëhen nga largimi i sovjetikëve që nuk i morën dot nëndetëset me vete dhe lanë mbi det ASH do të shkojnë për kërkimin shkencor në Universitet.
Do të përfshijmë pas 27 vitesh bibliotekat shkencore të universiteteve në rrjetin e shkencës duke garantuar me një fond mbi gjysmë milioni dollarë regjistrimin e universiteteve në gjithë rrjetin e botimeve, studimeve dhe materialeve shkencore për çdo sektor që do të jetë i aksesueshme nga çdo student. Do të financojmë kruset e anglishtes në bibliotekat e Universiteteve për ti dhënë mundësi pedagogëve dhe studentëve që të marrin kurse anglishteje falas për të përmirësuar gjuhën angleze”, tha Rama.
Veritas.com.al/