Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, theksoi se “AKSHI është institucion krenarie” dhe “ndihmë për integrimin në Bashkimin Europian”.

“Këtë sukses nuk e solli koha, por kjo qeveri, Shqipëria ka hapur kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE. Shqipëria është vendi ku këtë vit që po mbyllim u mblodh Europa politike në sheshin “Skënderbej”. Erdhën në një vend të korruptuar mendoni ju? Jo. Por nuk morën opinionin e 700 tenxhereve politike e mediatike kur erdhën. Nëse po ndodh sot ky proces, është meritë e kësaj force politike. Çfarë dorëheqje? Ne morëm 83 mandate. Dorëheqje për çfarë, për AKSHI-in? AKSHI është një institucion krenarie për ne, që të jemi të qartë bashkë. Krenarie, jo për të ulur kokën, por për të qenë krenar, sepse kemi qenë këtu ne, kur duhej të shkonit të mbanit radhë për çdo lloj letre, edhe për të marrë një certifikatë dhe kur ata që kishit jashtë duhet të vinin këtu se s’kishin shans të merrnin një copë letre atje se s’kishin nga e merrnin. 620 miliardë lekë, që janë 620 milionë euro, ka kursyer AKSHI për shqiptarët falë dixhitalizimit”, tha Rama, shkruan A2.

“33 milionë euro kursime për shqiptarët jashtë vendit nga AKSHI, është raport ndërkombëtar. Janë 75 milionë fletë letre të kursyera, ose 378 kamionë me letër. 3,4 milionë shqiptarë janë përdorues të rregullt të e-Albania dhe vetëm në 2025 janë 17 milionë shërbime të ofruara, 12 milionë dokumente elektronike të gjeneruara. Dikur jepnin lekë për të marrë një certifikatë. Jemi vendi që një nga arsyet pse po ecim aq shpejt me integrimin është AKSHI. Skuadra e AKSHI-it ka një sërë garash të fituara brenda NATO-s dhe BE-së”, shtoi kryeministri.

Rama shtoi se në shkurt pritet të lançohet e-Albania 2.0.

“Në shkurt do dalim me e-Albania 2.0 falë AKSHI-t dhe do ketë shumë gjëra të reja në atë sistem. Prandaj shqiptarët votojnë PS, nuk votojnë as patronazhistët, as bandat, por shqiptarët, prandaj shqiptarët jashtë e votojnë masivisht PS se nuk gdhihen me buzën në tenxheret politike e mediatike dhe nuk flenë me zhurmën e tenxhereve në vesh. Ata e shohin nga më larg dhe e kuptojnë shumë mirë se çfarë loje bëhet”, tha Rama.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *