Policia ka vënë nën pranga shtetasen Rexhina Çelhaka, e cila u përfshi ditën e djeshme në aksidentin tragjik ku humbën jetën 5 persona.
Si pasojë e këtij aksidenti humbën jetën shoferi i furgonit dhe katër pasagjerë, një çift të moshuarish shqiptarë dhe një çift ukrainas, të cilët po udhëtonin drejt Sarandës.
Nga ky aksident mbetën të lënduara edhe tre pasagjeret që ndodheshin në automjetin Land Rover, dy prej tyre banuese në Itali.
Hetimet vijojnë ende ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut dhe rrethanave të aksidentit.
Si ndodhi ngjarja?
Shoferja e Land Rover-it, Rexhina Çelhaka, 22-vjeç, nuk mendoi se shpejtësia me të cilën po lëvizte do të shkaktonte vdekjen e pesë personave në Qafë Muzinë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 të ditës së djeshme, në kohën kur e reja po udhëtonte në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë.
Çelhaka, po udhëtonte me një shpejtësi tej normave dhe është përplasur me mjetin tip furgon të linjës Tiranë-Sarandë, ndërsa furgoni ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë.
Për pasojë gjetën vdekjen shoferi i linjës Tiranë-Sarandë, i identifikuar si Bardhi Proda 51-vjeç, dhe 4 pasagjerët, ndërsa ka shpëtuar për mrekulli një vajzë e re, Greta Kaberdini, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Vajzat të cilat udhëtonin me mjetin ‘Land Rover’ gjithashtu ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Duhet përmendur fakti se, në rrugë mungon sinjalistike horizontale, vija ndarëse nuk dallohet dhe nuk kishte as bordurë anësore të rrugës në vendin ku është shembur furgoni.