Tre fluturime në Europë janë përfshirë nga kërcënime të dyshuara për bombë mëngjesin e së enjtes, duke detyruar devijimin e dy avionëve dhe shoqërimin e një të treti nga avionët ushtarakë.

Një avion Airbus A320, që udhëtonte nga Dublini drejt Romës, u devijua në aeroportin e Evreux, në Normandi të Francës. Avionët luftarakë francezë u ngritën për ta interceptuar dhe shoqëruar atë drejt aeroportit. Të 151 pasagjerët zbritën pa probleme.

Një tjetër alarm u raportua në një avion të kompanisë Wizz Air, i nisur nga aeroporti Malpensa në Milano drejt Varshavës. Airbus A321 u devijua drejt Vjenës pas marrjes së një kërcënimi për bombë gjatë fluturimit. Kompania konfirmoi se vendimi u mor në përputhje me protokollet e sigurisë.

Kërcënimi i tretë i dyshuar u raportua në një fluturim të Finnair nga Helsinki drejt Romës. Avioni u ul në aeroportin Fiumicino rreth orës 09:30, i shoqëruar nga avionët e Forcave Ajrore Italiane. Në aeroport u aktivizuan procedurat e kontrollit dhe ndërhyrjes nga ekipet antieksploziv.

Kërcënimet vijnë pas një serie alarmesh të rreme për bomba në rreth dhjetë fluturime europiane gjatë kësaj jave, mes tyre edhe disa fluturime të kompanisë Ryanair.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *