TIRANË- Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka përcjellë një mesazh për klasën politike shqiptare gjatë fjalës së saj në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, duke theksuar se viti 2027 mund të jetë një moment vendimtar për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kos e cilësoi vitin 2026 si një vit të mrekullueshëm për Shqipërinë, ndërsa nënvizoi se për të arritur objektivin e anëtarësimit nevojiten të ndërmerren tre hapa thelbësorë.
“Viti 2026 ka qenë një vit i mrekullueshëm. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë. Për ta arritur këtë, sipas mendimit tim, nevojiten tre gjëra.
Së pari, është e rëndësishme që ju të vazhdoni rrugëtimin e reformave dhe të tregoni se legjislacioni zbatohet në praktikë, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe në përmbushjen e standardeve mjedisore.
Së dyti, është e rëndësishme të fuqizohet pjesëmarrja në procesin ligjor, legjislativ.
Së treti, dallimet politike duhet të trajtohen përmes dialogut demokratik. Të gjitha rrymat e politikës së shoqërisë shqiptare duhet të bëhen bashkë, sepse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një projekt kombëtar.”, tha mes tjerash Kos.
Ajo theksoi se është mike e popullit shqiptar dhe do punojë që Shqipëria të përmbushë sa më parë ëndrrën e saj europiane.
“Evropa është e gatshme ta kapë këtë moment së bashku me ju. Unë do të punoj pa u lodhur për të ndihmuar Shqipërinë.”, pohoi ajo.
Komente