Partia Demokratike do të përshkallëzojë bojkotimin e saj institucional jo vetëm me Parlamentin që ka më shumë se 1 muaj që nuk merr pjesë, por edhe në zgjedhjet për presidentin të cilat duhet të përfundojnë brenda muajit prill. Këtë qëndrim ka lënë të kuptohet deputetja e PD-së, Albana Vokshi, e ftuar në Report tv.

Kërkesa e PPE për t’u rikthyer në Kuvend, është e vërtetë, e konfirmoni një gjë të tillë? Kemi edhe një letër nga zyrtari i CDU…

Shqetësimi i madh është rreziku i cenimit të zgjedhjeve dhe këtë mediat nuk e thonë. Z.Basha ka marrë mbështetje nga partitë simotra europiane të PD. Gjatë fjalimi të tij në samit, Basha ka paraqitur situatën në Shqipëri dhe akso9nin e PD për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në të gjitha takimet e z.Basha ka gjetur mbështetje sepse kjo është vlerë, ka marrë mbështetje për aksionin qytetar, sepse pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë demokraci. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme vijnë me anë të qeverisë që solli kriminalitetin? Jo. Atëherë mjeti është një qeveri teknike. Dhe për këtë gjeti mbështetje z.Basha, mbështetje të pakufishme, për qeveri teknik dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Qeveri teknike kukull, çdo të thotë z.Basha?, u pyet zonja Vokshi…

Ajo çka kërkohet është një qeveri me bazë të gjerë politike, me të gjitha palët politike që të bien dakord për emrat e kësaj qeverie. Nuk mundet Rama të caktojë Kryeministrin, ministrin e Brendshëm, ministrin e Arsimit, por duhet një konsensus me bazë të gjerë politike.

Vettingun do ta votoni pas zgjedhjeve?- u pyet përsëri zonja Vokshi

Sigurisht pas zgjedhjeve- tha ajo. Menjëherë pas ditës së parë të qeverisë teknike, duke zbatuar kushtetutën dhe ligjet. Një pjesë e ligjeve duhet të ribëhen atje ku ka antikushtetutshmëri dhe kapje të institucioneve.

A do të bëhet PD pjesë e procesit të zgjedhjes së Presidentit në Kuvend?- u pyet.

Ai është Kuvend i kriminalizuar- tha zonja Vokshi. Kuvendi sot është Çadra e Lirisë. Është në sheshin e lirisë. Rama të japë dorëheqjen dhe të hapë rrugën për të krijuar një qeveri me bazë të gjerë politike. Ai ka shkelur kontratën me qytetarët. Të bëjë një të mirë të vetme për këtë popull, të japë dorëheqjen dhe le të japë hapësira për krijimin e një qeverie konsensuale me mbështetje të gjithanshme politike e cila do të ketë funksionin për të çuar vendin drejt zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për aq kohë sa nuk ka qeveri teknike, vendi ynë është sheshi i lirisë.