Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk do të takohet sot me zëvendës-ndihmësin e sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer, që sot po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Nga partia e Kurtit po thonë se ai është jashtë shtetit, mirëpo nuk tregojnë ku, raporton Gazeta Express.

Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit të SHBA-së, njëherësh përfaqësues special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, po qëndron sot në vizitë zyrtare në Kosovë, nga ku është paraparë që të takohet me liderë të vendit.

I njëjti do të flasë edhe para një publiku të përbërë nga student dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, kanë njoftuar ambasada amerikane në Prishtinë.

Përveç kësaj, Palmer do të takohet edhe me liderë të vendit, përfshirë këtu takimin me Ramush Haradinaj që veçse ka nisur në ambasadën e Amerikës në Prishtinë, derisa, në mesditë pritet që i njëjti të takohet me Thaçin. Lajmi është bërë i ditur nga Kabineti i Presidentit, sipas të cilit takimi do të mbahet në orën 13.30.

Palmer ndërkaq nuk do të takohet me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin që doli si më i votuari nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Gazeta Express për këtë çështje ka kontaktuar sekretariatin për media në VV, ndërsa, të njëjtët janë deklaruar se nuk do të ketë vizitë për arsye se Kurti ndodhet jashtë shtetit.

“Është një vizitë jashtë vendit, që ka qenë e planifikuar kohë më parë”, kanë deklaruar nga VV-ja, mirëpo, që nuk kanë bërë të ditur se në cilin vend ndodhet Kurti.

Vizita e Palmerit në Kosovë ishte paralajmëruar më herët, por nuk ishte caktuar data e vizitës.

Para ardhjes në Kosovë, Palmer qëndroi për vizitë në Maqedoninë e Veriut.

Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit të SHBA-së, kohë më parë u emërua si Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

VERITAS.COM.AL/